Superliga, Skënderbeu mban kreun

20/04/2011 20:55

Mbetet i pandryshuar kreu dhe diferenca mes dy skuadrave në krye të Superligës edhe pas javës së 29-të të luajtur këtë mesjavë pas fitores 6-2 të Flamurtarit me Dinamon dhe fitores 2-0 të Skënderbeut me Laçin në Korçë.

Vlonjatët e panë veten në disavantazh në minutën e 5-të, kur për Dinamon shënoi Allmuça.

Por dy gola të shpejtë të Xhafajt rikthyen qetësinë në Vlorë. Më pas është Roshi që vulos rezultatin 3-1 në pjesën e parë.

Në pjesën e dytë, Flamurtari shënon edhe tre gola të tjerë me Lenën, Prognin dhe portierin Moçka, që shënon nga pika e bardhë e 11-metërshit në minutën e fundit.

Ndërkohë, Dinamo kishte shkurtuar diferencën e golave në fillim të pjesës së dytë me të riun Lala.

Ndërkohë Skënderbeut i mjaftuan 10 minuta për të kaluar në avantazh dhe për t’u kthyer në krye të renditjes.

Muzaka u pengua në zonë dhe gjyqtari Janku dha 11–metërshin, që do të transformohej në gola nga Shkëmbi.

Në minutën e 79-të, Soza dyfishoi rezultatin duke shfrytëzuar në mënyrë perfekte një pasim të Muzakës. Skënderbeu kryeson 2-0.

Në Takimet e tjera Vllaznia mundi Tiranën 1-0 në “Loro Boriçi” dhe siguron vendin e tretë në klasifikim.

Bylisi mundi Shkumbinin 2-0 në Ballsh, Besa fitoi 3-2 ndaj Kastriotit, ndërsa Teuta mundi Elbasanin me rezultatin 4-2.

Top Channel