Murdok kërkon të blejë Formula 1

20/04/2011 14:55

Rupert Murdok kërkon të sfidojë Berni Eklestonin dhe të blejë Formula 1.

Sipas Mark Kleinmann, gazetar i Skaj Njuz, kompania e manjatit australian, Njuz Korporejshën, po përgatit projektin për të marrë të drejtat e kampionatit automobilistik më të ndjekur në botë.
 
Sipas Skaj Njuz, manjati i mediave, Rupert Murdok, do të përfshijë në këtë biznes edhe meksikanin Karlos Slim, njeriun më të pasur të botës. Gazetari i gazetës angleze pohon se pasuria prej 74 miliardë $ e Slim mund të ndihmojë kompaninë e Murdok për të mbyllur me sukses këtë operacion.

Aktualisht meksikani Slim është sponsorizuesi i skuadrës Sauber me pilot bashkëkombasin e tij, Serhio Perez. Në 2002 një e përditshme angleze kishte publikuar interesimin e Murdok për blerjen e F1.
 
Ende nuk dihet nëse oferta e dy manjatëve ka shkuar në dorën e Berni Ekleston, aktualisht pronar i F1, por sipas medjave europiane, anglezi pritej të japë përgjigje negative, të paktën për momentin.

Top Channel