Barcelona-Real Madrid, sot ka vetëm një fitues

20/04/2011 10:00

Barcelona dhe Real Madrid do të luajnë sot në orën 21.30 finalen e Kupës së Mbretit, në Valencia.

Dy ekipet vijnë nga barazimi 1-1 i së shtunës në ligën spanjolle, rezultat i cili la të kënaqur si lojtarët e Guardiolës që ruajtën diferencën +8 në krye të renditjes, ashtu edhe ata të Mourinhos, të cilët treguan se mund t’i bëjnë ballë katalanasve.

Pritet që madrilenët të nisin lojën me Pepe në pozicionin e mesfushorit, së bashku me Xabi Alonso dhe Sami Khedira. Sergio Ramos dhe Ricardo Carvalho do të jenë çifti qendror i mbrojtjes, ndërsa Marcelo dhe Alvaro Arbeloa do të mbulojnë krahët.

Përsa i përket sulmit, Mesut Ozil do të nisë takimin si titullar në vend të Benzema. Mourinho mund të zgjedhë të luajë pa një sulmues qendror duke aktivizuar Di Maria-Ozil-Cristiano Ronaldo dhe duke lënë në stol Higuain, Adebayor dhe Benzema.

Përsa i përket Barcelonës, çështja është se kush do të luajë përkrah Gerard Pique në qendër të mbrojtjes. Mendohet se Mascherano do të jetë partneri i spanjollit për shkak të gjendjes jo shumë të mirë fizike të kapitenit Puyol. Keita-Busquets-Xavi do të jenë treshja e mesfushës, ndërsa në sulm Messi-Villa-Iniesta.

Në portë nuk do të jetë i përhershmi Victor Valdes, por zëvendësuesi i tij Pinto. Portieri i dytë është ai që i ka luajtur të gjitha ndeshjet e Barcelonës në Kupë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë gjë edhe sot.

Leo Messi do të luajë në krah të sulmit për t’iu shmangur markimit të Pepes, i cili në ndeshjen e kampionatit ishte një nga lojtarët më të mirë në fushë.

Në pamje të parë duket se forcat janë të barabarta, por Barcelona niset nga një avantazh: duke filluar nga viti 2008, kur Real Madrid ka fituar titullin e tij të fundit (Superkupën e Spanjës), katalanasit kanë fituar gjithsej tetë tituj.

Top Channel