
Erjon Braçe hodhi poshtë ato që i quajti mashtrime të kryeministrit Berisha dhe Lulzim Bashës, përsa i përket taksave që duhet të paguajnë banorët e kryeqytetit në Bashkinë e Tiranës.
E me këtë rast deputeti i PS-së paraqiti edhe mandate-arkëtimet e taksave të paguara nga të afërm të kryeministrit.
“Lulzim Basha ka 3 javë që po ju thotë qytetarëve se paguajnë 82 taksa në Tiranë. Ky është mandat arkëtimi i taksave të paguara nga zonja Liri Berisha: janë vetëm 3 taksa, në vlerë 9180 lekë ose 765 lekë në muaj (për shkak të shtëpisë 175 metra katrore). Ky është mandat arkëtimi i taksave të paguara nga zoti Shkëlzen Berisha: janë vetëm 2 taksa, në vlerë 5500 lekë ose 458 lekë në muaj. Ky është mandat arkëtimi i taksave të paguara nga zoti Sokol Olldashi: janë vetëm 3 taksa, në vlerë 7600 lekë ose 633 lekë në muaj. Lulzim Basha gënjen! Sot në Tiranë çdo familje paguan vetëm 3 taksa në muaj dhe vlera mesatare e tyre arrin në 550 lekë”, tha Braçe.
Zoti Braçe bëri krahasimin mes nivelit të taksave që qytetarët duhet t’i paguajnë bashkisë dhe qeverisë.
“Sot në Tiranë, çdo familje i paguan 550 lekë në muaj Bashkisë, ndërkohë që një familje me të ardhura mesatare i paguan 35000 lekë në muaj qeverisë, pra 70 herë më shumë! Me qartë, në çdo 100 lekë taksa, një familje në Tiranë 1.6 lekë ja paguan Bashkisë dhe 98.4 lekë ja paguan qeverisë. Lulëzim Basha është në këtë garë për të gënjyer, ndaj ka humbur që në nisje!”, theksoi Braçe.
Top Channel