Njeriu që krijoi i vetëm një park

19/04/2011 18:50

Një i moshuar u nderua në Kukës me titullin e “qytetarit të nderit”, por kontributi i tij për qytetin verior, siç zbuloi emisioni i pasdites në Top Channel, është shumë i ndryshëm nga ai i mbajtësve të tjerë të këtij titulli.

85-vjeçari Mehmet Leza fitoi këtë nderim për shkak të karrierës së tij, një karrierë e nisur paradoksalisht me daljen e tij në pension, në vitin 1988.

”Jam nderuar me këtë titull për shërbimin ndaj komunitetit, lidhur me kontributin që kam dhënë për gjelbërimin e tij”, deklaroi i moshuari.

Për të kuptuar më qartë, Mehmet Leza është qytetari model i cili vlerësohet për diçka që nuk ka të bëjë fare me ish-profesionin, por me pasionin e tij.

”Jam marrë me punë të ndryshme, por si profesion kam qenë teknik ndërtimi dhe topograf. Kam kaluar një periudhë të mirë të jetës në hekurudha, pastaj në ndërmjarrjen lokale të ndërtimeve. Që prej vitit 1952 nuk jam larguar kurrë nga Kukësi”, dëshmon Leza.

Kjo intervistë u zhvillua në vendin ku krenaria e zotit Mehmet arrin majat, parku publik i Kukësit është i gjithi vepër e tij, nga projektimi deri në zbatim.

”Që në rininë time, pasioni më i madh që kam patur ka qenë natyra, lulet dhe jam marrë shumë me to. Më pëlqen shumë t’i dedikohem gjelbërimit. Parkun e ndërtuam në vitin 1999, kur këtu erdhën kosovarët.

Menduan se çfarë të ngrinim një përmendore dhe vendosëm se nuk kishte asgjë më të mirë se sa një park”, thotë Leza.

Rrethanat në të cilat u mendua ky park janë po aq të jashtëzakonshme sa kërkesat të cilave iu pergjigj zoti Mehmet.

”Parkun e projektova për dy ditë. Projekti u miratua dhe zbatimin e tij e kam bërë po vetë, pa marrë asnjë shpërblim në këmbim. Puna për tre muaj dhe shpërblimi im i vetëm ishte kënaqësia që merrja gjatë punës”, thekson 85-vjeçari.

Kriza e luftës në Kosovë nuk është e vetmja që ka përjetuar Shqipëria. Megjithatë, edhe në famëkeqin vit 1997, zoti Leza po merrej sërisht me lulet e tij.

”Nuk e kisha problem se çfarë po ndodhte, sepse duke u përkujdesur për gjelbërimin dhe lulet, arrija të kaloja çfarë do stresi”, kujtoi Leza.

Mehmet Leza ka punuar shumë punë në jetën e tij, por ai nuk ka mësuar ende të luajë domino apo lojra të tjera “kohëvrasëse”.

Që nga dalja në pension ka qenë shumë i zënë me vullnetarizmin e gjelbër ndaj qytetit të tij, ndaj të gjithë qytetit.

”Me daljen në pension vendosa që të vazhdoja të merresha me një pushim aktiv dhe jo të mbyllesha në shtëpi. U morra me punët e qytetit, me lagjet, me gjelbërimin, me lokale, me ambiente të ndryshme”.

Nuk do të ketë një muze të vogël për veprat e tij të medha të artit, por nëse vizitoni Kukësin qoftë edhe kalimthi, mos harroni që pothuajse çdo lule është mbjellë nga ai.

Top Channel