
Ndërpriten punimet në autostradën Levan-Tepelenë. Shkak është mospagesa prej tetë muajsh e qindra punonjësve dhe specialistëve që punojnë në këtë aks rrugor kombëtar në ndërtim.
Punonjës dhe përfaqësues të firmave të ndryshme që kryejnë punimet në ndërtimin e rrugës protestuan përpara ndërtesës së firmës kontraktore.
Ata kanë kërkuar pagesat e prapambetura prej tetë muajsh.
Të irrituar punonjësit dhe përfaqësuesit e firmave të ndryshme janë shprehur se nuk do të vazhdojnë punën nëse nuk marrin pagesat. Shumat, sipas tyre, variojnë nga 500 mijë deri në 1 milion euro.
“Arsyet janë vonesat dhe pretekstet që nxjerrin. Kompania nënkontraktore thotë ‘Todini’, këta të fundit thonë s’më ka dhënë shteti. Punëtori i thjeshtë nuk e di se ku janë pengesat. Duhet të japin një rrugëzgjidhje ose firma, ose vetë shteti”, deklaroi një punëtor.
“Nuk është hera e parë që bllokohet puna, ka një muaj e gjysmë që ne bllokojmë punën herë pas herë. Firma kontraktore nuk i paguan lekët nënkontraktorëve dhe gjendja arriti deri këtu ku u mbyll rruga dhe puna”, shtoi një tjetër.
Protestuesit janë shprehur se nuk do të lejojnë që firma të tjera të zëvendësojnë ata dhe të kryejnë punime në këtë rrugë pa u shlyer detyrimet e 8 muajve.
Tenderi për ndërtimin e rrugës është fituar nga kompania “Todini” dhe “Alpine”.
Punimet kanë nisur që në vitin 2008. Kjo rrugë është e gjatë 70 kilometra, por kanë kaluar gati tre vjet dhe nuk ka përfunduar asnjë kilometër rrugë e asfaltuar.
Top Channel