Bashkëpunimi biznes-komunë

19/04/2011 16:20

Dy muaj më parë kur bizneset që operojnë në komunën e Kasharit po diskutonin me drejtuesit vendorë çështjen e taksave, propozimi kryetarit të kësaj komune Besnik Fuçia që këto biznese të kishin një zë të vetëm u mirëprit.

Kjo ide nuk mbeti thjesht një propozim. Falë vullnetit të biznesit dhe bashkëpunimit me komunën Kashar, të gjitha kompanitë që operojnë në zonën industriale krijuan shoqatën “Bashkimi i Bizneseve të zonës industriale”.

Një memorandum bashkëpunimi është firmosur sot i cili synon çuarjen më përpara të marrëdhënieve pushtet vendor-biznes, me qëllim shtimin e vendeve të punës për banorët e kësaj zone.

Besnik Fuçia kryetari i komunës Kashar e vlerëson bashkimin e këtyre bizneseve si të domosdoshëm dhe të dobishëm.

“Prezantimi i këtij projekti dhe kësaj marrëveshjeje ka të bëjë së pari me zbutjen e çështjeve sociale dhe ne synojmë që të hartojmë projekte sociale siç është zbutja e papunësisë nëpërmjet këtyre bizneseve”, tha Fuçia.

Në komunën Kashar krahas bizneseve të ndryshme operojnë katër universitete, të cilat kanë nisur një bashkëpunim me pushtetin vendor.

“Përveçse arsimit publik, arsimi privat shikohet me një sy krejt ndryshe për shkak sepse është një gjenerator shumë i fuqishëm, sepse edhe këto univesitetet kanë potencialet e veta edhe njerëzore, edhe arsimore dhe këto kapitale të vihen në funksion të zhvillimit të kësaj zone. Kashari është një zonë në zhvillim që ka nevojë për prezencën e këtyre universiteteve, por edhe për punën kërkimore që ato bëjnë të cilat në të ardhmen mund të integrohen me planet tona të zhvillimit”, tha Fuçia.

Vullnet Haka është njeri prej nismëtarëve të shoqatës “Bashkimi i bizneseve të zonës industriale”, kompania e të cilit operon në këtë zonë që prej vitit 2005, në fushën e prodhimit të qeseve plastike për tregun vendas. Ai e komenton pozitivisht bashkimin e bizneseve në një zë të vetëm.

“Partneriteti ndërmjet biznesit dhe Komunës Kashar është shumë i rëndësishëm jo vetëm për zhvillimin aktual që kanë bizneset sot në këtë zonë, por duke patur një bashkëpunim institucional ndërmjet bizneseve dhe komunës, ato do të arrijnë që të artikulojnë në mënyrë të drejtë dhe në vendin e duhur kërkesat që ato kanë për zhvillime dhe investime të mëtejshme që do kryhen në këtë zonë”, theksoi Haka.

Top Channel