ÇEZ, shtohen debitorët

19/04/2011 15:25

Privatizimi tre vjet më parë nuk ka mundur t’i shuajë problemet e hershme të shpërndarjes së energjisë. Drejtuesit e ÇEZ Albania thanë se kanë vështirësi për të arkëtuar faturat e energjisë.

“Edhe pse po punojmë shumë dhe po përdorim të gjitha mjetet e mundshme për të arkëtuar, nga ndërprerjet dhe deri çuarjen në gjyq të atyre që nuk paguajnë ende, arkëtimet janë të ulëta. Kjo performancë e dobët po ndikon edhe në shpejtësinë e investimeve tona për përmirësimin e rrjetit”, është shprehur Alesh Konrad, drejtues i ÇEZ.

Sipas të dhënave zyrtare, deri në fund të vitit 2006, borxhi i krijuar nga familjarët për mospagimin e faturave të energjisë llogaritej në rreth 38 miliardë lekë.

Ritmi i borxheve është rritur që nga 2007-a kur shpërndarja u nda nga prodhimi për t’u privatizuar më pas.

“Borxhi total që na është krijuar që nga 1 janari 2007 llogaritet në rreth 32 miliardë lekë, nga të cilët 5 miliardë janë fatura të papaguara nga institucione publike, buxhetore ose jobuxhetare”, theksoi Konrad.

Drejtuesit e KESH-it i bën këto deklarata gjatë një takimi me median ku njoftuan se tashmë konsumatorët mund t’i kontrollojnë faturat e tyre të energjisë edhe online.

Top Channel