Vizitë në Ksamilin e “bombarduar”

18/04/2011 20:10

Një zonë e “bombarduar” u vendos në qendër të reportazhit “Shqipëria Tjetër”, i transmetuar çdo të hënë pas edicionit qëndror të lajmeve.

Megjithatë, pavarësisht gërmathave nuk bëhet fjalë për një zonë lufte, është vetëm Ksamili, fshati turistik i ndodhur vetëm disa kilometra nga Saranda.

Aktualisht, në Ksamil mund të gjesh kudo, shtëpi të mëdha e të vogla, të shkatërruara plotësisht apo përgjysmë gjysmë, varur majtas a djathtas, në një tablo thuajse surreale.

Gërmadha të mbira mes betoneve shumëkatëshe, në rrugët ngjyrëe gri të Ksamilit, kthyer në një Kandahar shqiptar.

Det askund, bluja e jonit duket e përpirë në katrahurën urbanistike dhe rrënojat e shkatërrimeve të një viti më parë, e që sot në prag të sezonit turistik qëndrojnë po aty si lapidarë të një beteje të zhvilluar jo me armë, por me llaç, tulla, ekskavatorë, vinç e fadromë.

E kotë të kërkosh ndonjë degë portokalli a mandarine, fushat me dhjetëra mijëra rrënjë agrume që dikur jeshilonin Ksamilin duken  tashmë vetëm një kujtim i largët.

Shumë familje banojnë ende në këto ndërtesa gjysmë të rrezuara, duke bashkëjetuar me rrezikun që mund t’u marrë jetën në mënyrë të papritur në çdo moment.

Shume prej banorëve thonë se shkatërrimet kanë qenë selektive, duke bërë fajtorë drejtuesit lokalë, të cilët kanë vënë kryqin vetëm mbi ato banesa që nuk kanë ofruar një bakshish në këmbim.

”Ka njerëz që duan të vjedhin, ka njerëz që duan të qëndrojnë në pushtet, ka njerëz që nuk e kuptojnë që të punojnë për të mirën e popullit, që të eci Shqipëria përpara, që t’a mbështesë gjithë bota.

Nuk i kuptojnë këto gjëra, vetëm ata duhet të jetojnë, vetëm ata duhet të hanë, vetëm ata duhet të pijne, kështu është puna për të gjithë këta politikanët që janë në pushtet këtu”, thotë banorja e zonës, Afërdita Miloti.

Ne Ksamil, orientimi është thuajse i pamundur. Ndërtimet e kudombira pa asnjë kriter, të mpleksura fort me godinat e gjymtuara kanë zaptuar çdo cep të mundshëm, duke i dhënë perlës së dikurshme turistike një imazh të deformuar, të cilit është e veshtirë t’i vësh një emër.

Fakti se thuajse të gjithë në Ksamil janë të ardhur dhe ndërtimet i kanë ende të palegalizuara ka rritur ndjeshëm frikën në qytezë, pikërisht tek ato familje që i kanë shpëtuar aksionit të ndërtimores, ndërsa të tjerët duket se nuk kanë më asgjë për të humbur.

”Nuk është puna për frike, se flet për frikë apo s’flet për frikë, këtu është puna, se s’dimë pse u prishën. Mua s’më ka dhënë njeri përgjigje pse u prishën apo pse nuk u prishën”, thotë një banor i Ksamilit.

Koklavitja politiko–sociale i ka ndarë banorët në dy pale, e që sot bashkëjetojnë me jo pak dyshime mes tyre, duke e kthyer jetën në Ksamil në një grumbull akuzash të ndërsjellta.

Drejtuesit lokalë pranojnë gjendjen jo normale të krijuar në Ksamil, por premtojnë ende në trajtë fjalësh se së shpejti, me asistencën e Ministrisë së Mbrojtjes gërmadhat do të largohen.

Ndërkohë, për ankesat dhe akuzat e banorëve, qëndrimi i kryekomunarit është i prerë.

”Ne dhe ju duhet të orientojmë banorët që nëse kanë dokumenta të shkojnë dhe të kërkojnë të drejtën e tyre nëpër gjykata”, thotë kryekomunari.

Mbi 240 objekte të gjunjëzuar si çibane të shpërfytyrimit të një zone turistike, që sot ka pak ose aspak për të ofruar.

Mes rënojave, pluhurit e ndërtesave që ngrenë krye nga çdo cep, mes tyre edhe ato të shtetarëve e drejtuesve të zonës.

Një det i privatizuar, për të cilin duhet t’i paguash para pronarit të rradhes, qoftë edhe për t’a prekur, nën një rrëmujë të gjithanshme ku shpesh duket sikur mungon edhe oksigjeni.

Mjafton pak kohë përmes rrugëve të kryqëzuara keqazi, mes tyre për të kuptuar se Ksamili i sotëm ka shume fajtorë.

Fajtore janë qeveritë e majta e të djathta që lejuan një masakër të tillë 20-vjeçare e që tashmë nuk ka më asnjë kthim pas, njerëzit që s’pyetën për ligje e institucione, por zaptuan toka e shkatërruan plantacione me agrume pa asnjë mëshirë.

Janë autoritetet lokale që duhet të përgjigjen para ligjit për gjendjen e krijuar ndër vite e që sigurisht, nëse do të ishte kapur në kohë do të ofronte ndoshta jo pamjen e parajsës së dikurshme, por gjithsesi një realitet disi më të pranueshëm e më pak të shpërfytyruar. Ky është sot Ksamili mes germadhave të tëe cilit ka ende jetë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA