Vdes futbollisti i kombëtares nigeriane

18/04/2011 16:00

Një mbrojtës i kombëtares nigeriane të futbollit, Olubayo Adefemi, mbeti i vrarë në një aksident automobilistik gjatë mëngjesit të sotëm, informoi media greke, vend ku ai luante me Skoda Ksanthin.

Adefemi ishte duke udhëtuar nga Ksanthi për në Selanik dhe u përfshi në një incident të ndodhur në krahinën e Kavallës, në Greqinë Veriore.

Sipas policisë helene, ish-futbollisti i Rapidit të Bukureshtit kishte marrë leje për këtë udhëtim nga skuadra, për t’u marrë me finalizimin e detajeve të martesës që do të kryente së shpejti.

”Super Liga Helene dhe e gjithë familja greke e futbollit dëshiron të shprehë ngushëllimet më të sinqerta për familjen e Olubayo Adefemit, i cili mbeti viktimë e një aksidenti tragjik”, shkruhej në një komunikatë të Federatës.

Adefemi kishte kaluar në kampionatin grek gjatë verës së shkuar dhe ishte një titullar fiks i Ksanthit, skuadër me të cilën numëronte 24 prezenca në këtë sezon.

Top Channel