Sezoni i kampionëve të “hipotekuar”

18/04/2011 16:10

Ndërsa mbeten pak javë deri në fundin e kampionateve kryesore të futbollit në Europë, duket se vendet e para janë të hipotekuara.

Ndryshe nga një vit më parë, kur në Itali e Angli u prit deri në javën e fundit për të vendosur titullin, sezoni aktual sheh Milanin dhe Manchester United me vende të para pothuajse të pacënueshme.

Në Serinë A, ndërsa mbeten edhe pesë javë deri në fund, Milani kryeson me gjashtë pikë ndaj Napolit dhe tetë ndaj Interit, rivalëve më të afërt, që do të përballen midis tyre në javën e parafundit.

Dueli kryesor i kampionatit italian deri në javën e fundit duket se do të jetë ai për vendin e katërt që të kualifikon në kualifikueset e Champions, me katër ekipe që e pretendojnë.

Në Premier League, situata është pothuajse identike, me United që kryeson me gjashtë pikë ndaj Arsenalit dhe tetë ndaj Chelsea, prandaj pritet që “Djajtë e Kuq” të shpallen kampionë në avancë.

Edhe në Angli, dueli i vetëm interesant është ai i vendit të katërt, të pretenduar nga Tottenham dhe Manchester City.

Situata është e qartë edhe në Spanjë, ku Barcelona kryeson me tetë pikë ndaj Realit kur mbeten edhe gjashtë javë, ndërsa të katërt ekipet e zonës Champions kanë diferencë nga Bilbao i vendit të pestë.

Në javët e fundit, luftë interesante Primera Division do të ofrojë vetëm për skuadrat që pretendojnë për t’u shpërtuar.

Përsa i përket kampionatit gjerman, pesë javë përpara fundit, fitorja e Dortmundit ndaj Freiburg dhe humbja e Leverkusenit në Mynih duket se “hipotekuan” titullin e vestfalezëve.

Borussia udhëheq me tetë pikë ndaj skuadrë së “aspirinave”, që gjithashtu duket se ka një vend të dytë të pacënueshëm. Bayern dhe Hannover duelojnë për vendin e tretë që të kualifikon në Champions.

Veçanërisht interesante situata në fundin e tabelës, me ekipe të mëdha si Wolfsburg, Stuttgart e Werder Bremen të përfshirë në luftën për mbijetesë.

Top Channel