
22 gra dhe burra, të cilët kanë hyrë në ditën e pestë të grevës, i kanë bërë apel qeverisë që të plotësojë kërkesat e tyre në mënyrë që ata t’i japin fund kësaj proteste.
“Jemi këtu me qëllim që të arrijmë aty ku ne kërkojmë, për arsye se endeshim rrugëve dhe s’na vinte re askush. Pa ndihmën që kërkojmë, ne nuk mund të jetojmë”, ka deklaruar një burrë grevist.
Gjendja shëndetësore e tetra dhe paraplegjikëve është rënduar. Gratë janë në gjendje më të rëndë dhe për to qëndrimi në grevë po vështirësohet.
“I bëj apel qeverisë, që duke parë këta fatkeqë, t’i shohë gjërat tona sa më shpejt që kjo grevë të mbyllet sa më parë”, ka thënë një prej tyre.
Por, ndërsa para dhe tetraplegjikët shprehen të vendosur të qëndrojnë në grevë derisa të plotësohen kërkesat e tyre ekonomike, që lidhen me paketën higjenike dhe rritjen e pagesës për kujdestarin, Ministria e Punës ka deklaruar me shifra sesa kanë përfituar 5100 para dhe tetraplegjikët deri më sot, si dhe ka kërkuar që ata t’i japin fund kësaj greve.
“Ne i kemi mirëkuptuar kërkesat e tyre dhe kemi qenë të vëmendshëm, por kërkojmë që ata të ulen në negociata dhe të heqin dorë nga sjellje të tilla ekstreme”, ka deklaruar zëdhënësja e ministrisë.
Para dhe tetraplegjikët grevën e fundit e kanë zhvilluar në vitin 2008.
Top Channel