Nadal sheh Barcelonën si favorite

18/04/2011 16:30

Numri një i tenisit botëror dhe një tifoz i deklaruar i Realit të Madridit, Rafael Nadal, deklaroi sot në shtypin spanjoll se Barcelona ka më shumë shanse për të fituar Kupën e Mbretit apo për t’u kualifikuar në finalen e Champions.

Me të dy ekipet që përballen në klasike që do të përcaktojnë fituesin e trofeut të dytë më të rëndësishëm në Spanjë dhe një biletë për në finalen e “Wembley”, Rafa e konsideroi Barcelonën si një “ekip më të konsoliduar”.

”A mund të fitojë Reali Kupën e Mbretit? Pa dyshim që po dhe pa dyshim që mund të fitojë edhe titullin në Champions, por nuk ka asnjë dyshim që nuk jemi ne favoritë, por Barcelona”, deklaroi tenisti për të përditshmen “AS”.

”Barça ka disa vjet që po bën një futboll me të vërtetë spektakolar dhe kanë një ekip shumë më të konsoliduar se sa ne”.

Në fjalën e tij, Nadal mbrojti strategjinë difensive të përdorur nga Mourinho në klasiken e vlefshme për kampionat, të luajtur fundjavën e fundit.

”Natyrisht, pas humbjes 5-0 në “Camp Nou” ishte normale që të bëheshin disa ndryshime. Edhe unë, nëse humb një ndeshje 6-1, 6-1, herën e ardhshme që do të luaj ndaj të njëjtit rival do të bëj ndryshime në lojën time.

Të gjithë ekipet që janë përpjekur të luajnë hapur me Barcelonën e kanë pësuar keq. Mendoj se strategjia e përdorur nga Mourinho, ndonëse jo spektakolare, është më efikase”.

Top Channel