Lacio “blindon” vendin e katërt

17/04/2011 17:10

Lacio ka fituar në transfertë 4-1 ndaj Katanias dhe ka forcuar pozitat në vendin e katër të Serisë A, duke e siguruar këtë vend, të paktën edhe për një javë tjetër.

I pari që hapi serinë e golave ishte Hernanes që 5 minuta nga përfundimi i pjesës së parë gjen rrjetën duke cuar në avantazh skuadrën e tij në dhomat e zhveshjes.

Me nisjen e pjesës së dytë, vendasit reagojnë duke gjetur golin e barazimit vetëm 2 minuta pas fërshëllimës së gjyqtarit. Barazpesha në rezultat zgjat pak minuta, pasi Mauri kalon sërish në avantazh bardhekaltërit. Në minutën e 78 Flokari shënon golin e qetësisë për miqtë dhe në të ’89, Zarate vulos fitoren që i ngjit në kuotën e 60 pikëve.

Një gol i shënuar nga Erjon Bogdani në minutën e 3 të pjesës së dytë, i ka mjaftuar Cezenës për të marrë 3 pikë me mjaft vlera përballë Barit që e cojnë skuadrën në vendin e 17 në kuotën e 34 pikëve, praktikisht jashtë zonës së skuadrave që bien automatikisht në Serinë B.

Seria e fitoreve të Juventusit është ndalur në Firence. Bardhezinjtë barazuan 0-0 me Fiorentinën duke bërë thuajse të pamundur misionin e tyre për të zënë një vend në Ligën e Kampioneve për vitin e ardhshëm.

Në ndeshjet e tjera, Xhenoa ka shkatërruar Breshian 3-0, Kievo mundi Bolonjën 2-0 dhe Lece e Kaljari ndanë nga një pikë pas barazimit 3-3.

Në mbrëmje luhet sfida mes Napolit e Udinezes. Vendasit kërkojnë fitoren për t’i qendruar sa më pranë Milanit kryesues, në pritje për ndonjë hap fals të tij, ndërsa friulianët luajnë për marrjen e tre pikëve për të mbajtur gjallë shpresat për një vend në Ligën e Kampioneve.

Top Channel