Kremtohet ditëlindja e profetit Muhamed

17/04/2011 20:30

Muslimanët në Shqipëri kanë festuar në Tiranë me një ceremoni moderne ditëlindjen e profetit Muhamed.

Për 1.6 miliardë muslimanë në botë kjo konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme, që në Kuran konsiderohet si dhurata e mirësisë së pafundme të Allahut ndaj njerëzimit.

“Në këtë ditë erdhi në botë Ai, të cilit i madhi Zot i tha: Sot ua plotësova fenë tuaj, plotësova të gjitha dhuntitë e mia ndaj jush dhe zgjodha për ju, fenë islame”, tha në fjalën e tij Kryetari i Komunitetit Musliman Shqiptar, Haxhi Selim Muca.

Në kremtmin e ditëlindjes së profetit Muhamed ishin të pranishëm klerikët e të gjitha besimeve fetare.

Por kjo ngjarje e shënuar për besimtarët muslimanë ka takuar për herë të parë që kur ka nisur fushata elektorale edhe kryeministrin Sali Berisha me kandidatin demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha.

Mesazhet e kryeministrit nuk ishin mesazhe të pastra elektorale, edhe pse ai nuk shmangu në fjalimin e tij ngjyrimet politike të lidhura me sloganet e fushatës, kur foli për fondamentalizimin e vetëm që ka ekzistuar në Shqipëri në lidhje me fenë.

“Shqipëria ka njohur vetëm një fondamentalizëm dhe ky fondamentalizëm ka qenë fondamentalizmi ateist i regjimit totalitar, sepse ky me gjalp e hekur, donte me cdo kusht që rrugën e Zotit t’ua merrte shqiptarëve e t’ua zëvendësonte me rrugën e vetme apo rrugën e Enverit. Sot ne jemi të lirë. Po të jetë për një rrugë, të gjithë ne kemi vetëm rrugën e Zotit, Atij i falemi, Atij do t’i falemi. Zoti vetë për ne këtu në Tokë ka lënë rrugën që duhet, rrugën e gjithësecilit, rrugën që s’mund ta marrë askush”, tha kryeministri Berisha.

Në mesazhin e tij kryeministri Berisha tha se qeveria e tij do të bëjë gjithcka për rindërtimin e vlerave të kombit shqiptar, duke vecuar si më të rëndësishmen njerën prej tyre.

Top Channel