F1, Hamilton ndërpret fitoret e Vettel

17/04/2011 10:50

Ljuis Hamilton është fituesi i Cmimit të Madh të Kinës duke ndaluar dominimin e Red Bullit në botërorin e Formula 1.

Anglezi i McLaren arriti të parakalojë në momentet e fundit të garës gjermanin Sebastian Fetel, gjë e cila i dha triumfin në Shangai dhe 25 pikët e para të sezonit.

Kampioni i botës në fuqi, gjermani i Red Bull, u rendit në vendin e dytë. Piloti tjetër i Red Bull, Mark Veber, i nisur nga vendi i 18, ishte protagonisti tjetër në Shangai.

Australiani, falë parakalimeve arriti ta mbyllë garën në vendin e 3 duke lënë pas anglezin tjetër të McLaren, Xhenson Baton dhe gjermanin e Mercedes Niko Rosberg.

Ferrari me dy pilotët e saj ka bërë një tjetër garë zhgënjyese. Në Shangai, braziliani Felipe Masa u rendit në vendin e 6, ndërsa direkt pas tij spanjolli Fernando Alonso.

Në zonën e pikëve është futur Mikael Shumaker, rusi Vitali Petrov dhe japonezi Kobajashi.

Në klasifikimin e përgjithshëm, Fetel kryeson me 68 pikë, 21 më shumë se Hamilton i vendit të dytë dhe 30 më shumë se Baton. Në klasifikimin për konstruktorë Red Bull mban vendin e parë me 105 pikë, i ndjekur nga McLaren me 85, ndërsa Ferrari është larg tyre me 50 pikë.
 

Top Channel