Klasikja, Guardiola kërkon kujdes

16/04/2011 12:35

Ndryshe nga trajneri i Realit të Madridit, Josep Guardiola foli gjatë përpara klasikes që do të luhet sot në mbrëmje në “Santiago Bernabeu” dhe paralajmëroi të tijët që të mos nënvlerësojnë rivalët për titull, të mposhtur 5-0 në “Camp Nou” gjatë fazës së parë.

”Për Realin kam patur gjithmonë një mendim shumë të mirë, pavarësisht rivalitetit. Kemi të qartë që janë përmirësuar shumë që prej fazës së parë. Janë të shpejtë, shumë të fuqishëm dhe gjuajnë më shumë se ne.

Reali është një skuadër shumë e vështirë për t’u kontrolluar dhe nëse do t’i lejojmë që të kombinohen, mund të vuajmë shumë. Është e rëndësishme që të sulmojmë me vëmendje, pasi nuk kam parë kurrë një skuadër që të luajë më mirë se Reali në kundërsulm”, deklaroi Guardiola në konferencë për shtyp.

Trajneri i katalanasve nuk i kushtoi shumë rëndësi faktit që nën drejtimin e tij Barça ka fituar gjithmonë në “Bernabeu”. “Do të vijë një ditë që do të humb, me këtë ekip apo me ndonjë tjetër.

Kujtoj që Mourinho ka humbur vetëm një ndeshje në shtëpi në nëntë vitet e fundit dhe kjo është një e dhënë me të vërtetë e jashtëzakonshme”.

Trajneri portugez nuk foli për gazetarët dhe qëndroi në heshtje deri sa ata u larguan, në konferencën e djeshme për shtyp. Kjo ishte një formë proteste e Jose-s për keqinterpretimin dhe zmadhimin e fjalëve të tij.

Top Channel