Formularët për deklarimin e pasurisë

16/04/2011 08:15

Për pak ditë hyn në fuqi udhëzimi i Ministrisë së Financave për deklarimin e të ardhurave të çdo shtetasi shqiptar. Me anë të një formulari të posaçëm individët do të deklarojnë të gjitha të ardhurat e krijuara, jo vetëm nga puna, por edhe me forma të tjera, përfshi edhe trashëgiminë.

Gazeta “Shqip” zbardh të plotë udhëzimin e Ministrisë së Financave, ku caktohen qartë rrugët e plotësimit të formularit dhe llojin e të ardhurës që ka krijuar. Më pas ky dokument do të dorëzohet te tatimet brenda datës 30 prill, duke filluar nga viti 2012.

Kjo do të thotë se ligji ka hyrë në fuqi dhe automatikisht çdo e ardhur duhet deklaruar.

Formulari duhet plotësuar edhe për një kategori të caktuar shpenzimesh, për shëndetësi, kontributet dhe arsim. Për të tilla shpenzime individët duhet të ruajnë mandatet e pagesës për të vërtetuar shpenzimin.

Por këtu duhet pasur kujdes. Në momentin e mbledhjes së të ardhurave dhe këtyre tri lloje shpenzimesh, diferenca mes tyre nga zbritja do të tatohet në rast se del pozitiv. Shkalla e tatimit është 10 për qind dhe kjo përbën një rrezik për individët me të ardhura të konsiderueshme.

Në rast se diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve del negative, atëherë individi do të marrë mbrapsht nga tatimet diferencën. Te kjo skemë e rimbursimit nuk përfitojnë individët me të ardhurat vjetore 800 mijë lekë e sipër.

Kush i deklaron të ardhurat

Deklarata individuale vjetore e të ardhurave plotësohet nga individët rezidentë shqiptarë për të ardhurat e realizuara brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë dhe individët rezidentë të huaj për të ardhurat e realizuara në vendin tonë. Në skemën e deklarimit janë të përfshirë edhe emigrantët, në rast se kanë dëshirë për të qenë pjesë e skemës.

Gjithashtu deklaratën duhet ta plotësojnë të vetëpunësuarit rezidentë, vendas ose të huaj, të cilët realizojnë të ardhura nga veprimtaria e biznesit të vogël, krahas deklaratës për biznesin e ushtruar, e cila duhet dorëzuar deri më datë 31 mars të vitit pasardhës, duhet të plotësojnë për pjesën e fitimit pas tatimit (të përfituar në formën e të ardhurave personale) edhe deklaratën individuale vjetore të të ardhurave sikurse dhe individët e tjerë jo më vonë se data 30 prill e vitit që pason periudhën tatimore, për të cilën bëhet deklarimi.

Deklarata individuale vjetore e të ardhurave mund të plotësohet edhe nga persona të tjerë, të cilët vendosin të bëjnë deklaratën megjithëse nuk kanë detyrim ligjor të bëjnë këtë deklarim.

Top Channel