Alonso: Duhet të kënaqemi me kaq

16/04/2011 12:55

Një sekondë e gjysmë nga Red Bulli i Vettel, Fernando Alonso duhet të kënaqet me vendin e pestë në nisjen e Shangait.

Orë pas përfundimit të provave kualifikuese, kampioni i dyfishtë i botës u mjaftua me rradhën e tretë, që sipas tij e lejon të konkurrojë për podium nesër.

”Do t’i jepja një notë dhjetë skuadrës për mënyrën se si ka interpretuar provat zyrtare në këto tre gara të para të sezonit. Kemi parë që gabime janë kryer edhe prej skuadrave të tjera”, deklaroi Alonso.

”Është gjithmonë e vështirë të gjesh ekuilibrin e duhur midis rrezikut dhe kujdesit. Shikoni se çfarë ndodhi me Heidfeld, i cili u eliminua që në sesionin e parë të provave, pasi garoi me goma të buta.

Edhe Webber u eliminua sot që në raundin e parë. Mendoj se mund të themi që jemi mjaftueshmërisht të fortë. Në Kinë, më shumë se gjysma e skuadrave është prezantuar me pjesë të reja, ndërsa ne do të bëjmë të njëjtën gjë në Turqi, kur do të mbërrijnë modifikimet e reja.

Përballë gazetarëve të befasuar nga optimizmi i spanjollit me një nisje nga një rradhë e tretë, Alonso shtoi: “Nuk shpresoja asgjë më shumë. E dija që do të zbrisnim në fushë me të njëjtën makinë si në Malajzi, prandaj kisha të qartë që do të ishim pas Red Bull-it e McLaren-it”.

Nga ana e tij, bosi i Ferrarit, Stefano Domenicali, theksoi: “Këtu u panë diferenca të ngjashme me ato të garave të para, por duhet të përpiqemi të shtrëngojmë rripin në një moment të tillë kaq të vështirë.

Në Australi e Malajzi pamë që paraqitja jonë në garë nuk është e keqe në krahasim me skuadrat e tjera, prandaj të shohim se çfarë do të ndodhë”.

Top Channel