Tuneli, zbardhen ofertat e tenderit

15/04/2011 08:00

Rreth një muaj nga shpallja e firmës fituese për ndërtimin e tunelit të Kërrabës, pjesë e autostradës Tiranë-Elbasan, Ministria e Transporteve bën publike fazën e prokurimit dhe listën e kompanive pjesëmarrëse.

Ofertat e paraqitura nga firmat ndërtuese tregojnë se subjektet greke kishin ofruar çmimin më të ulët, me diferencë të konsiderueshme në raport me rivalët e tjerë.

Gazeta “Shqip” mëson me detaje të gjithë ecurinë tremujore të tenderit për ndërtimin e tunelit, 4 km të gjatë, pjesë e një prej objekteve rrugore me rëndësi për qeverinë “Berisha”.

Vlera e tenderit ishte rreth 15 miliardë lekë, por kompanitë greke, ndoshta të nxitur nga kriza ekonomike e vendit të tyre, kanë ofruar çmimin “anormal” më të ulët, duke i vendosur në pozicion të vështirë zyrtarët e transporteve.

Kompania “Aktor” ofroi për ndërtimin e tunelit një çmim prej rreth 8.3 miliardë lekë, kurse bashkëkombësja “Aegek” paraqiti një vlerë prej rreth 8.7 miliardë lekësh.

E treta u rendit një kompani italiane, me ofertë shumë larg çmimit të paraqitur nga dy kompanitë helene. Interesimi i firmave greke ishte tepër i madh dhe kjo dukej tek ofertat me çmimin më të ulët të paraqitur nga 26 kompanitë konkurrente.

Në vendin e katërt u rendit një tjetër shoqëri nga vendi fqinj, “Mochlos”, me çmim 11.6 miliardë lekë, kurse në të pestin dhe në të gjashtin u rendit një shoqëri kroate dhe një spanjolle.

Top Channel