Superliga, tension në pragndeshje

15/04/2011 16:10

Është tensionuar atmosfera në prag të javës së 28-të të Superligës Shqiptare, me situatën e luftës në distancë mes dy skuadrave që luftojnë për titullin kampion, Flamurtari dhe Skëndërbeu.

Të dy këto ekipe luajnë pasditen e sotme në të njëjtën orë, në 16:30, por Skëndërbeu vjen të përballet me Dinamon në Tiranë, një skuadër e cila gjithmonë e më shumë shfaqet si “aleate” e korçarëve, ndërsa Flamurtari udhëton drejt Peqinit për të luajtur me Shkumbinin, në rrezik për të rënë nga kategoria.

Në pesë ndeshjet e fundit ndaj dinamovitëve, Skëndërbeu ka arritur të fitojë tre prej tyre, ka barazuar dhe humbur nga një. Në totalin e historisë së përballjeve, është Dinamo shumë përpara me 15 fitore, kundër pesë të till nga “ujqërit e dëborës”.

Flamurtari, i cili ka humbur disi nga forma e tij shumë e mirë e fillim sezonit, rrezikon të humbë vendin e parë sot në Peqin.

Shkumbini, edhe pse në vendin e 7-të, ka vetëm dy pikë avantazh nga Bylisi e Kastrioti dhe tre pikë përpara Teutës dhe Besës.

Në këtë ndeshje, vlonjatët shkojnë edhe pa sulmuesin e tyre kryesor Daniel Xhafa, i pezulluar nga Komisioni i Disiplinës së FSHF-s me dy ndeshje dhe 100.000 mijë lek gjobë për sjellje antisportive në ndeshjen me Kastriotin.

Mediat janë hapur sot me një deklaratë të shefit të klubit vlonjat, Geri Çipi, ku sipas tij, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Eduard Prodani ka pranuar se Skëndërbeu do të fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura, ndërkohë që vetë Prodani reagon duke i cilësuar si shpifje këto deklarat të Çipit, duke bërë të ditur se edhe do të ngrejë një padi.

Gjithsesi, kjo situatë po tregon një tension në rritje mes këtyre dy skuadrave, ndërkohë që nuk mungojnë akuzat për tolerime e fiksime rezultatesh nga ana vlonjate, duke cilësuar gjithmonë përballjen e Dinamos me Skëndërbeut si një shfaqe teatrale.

Kompanitë e huaja të basteve e kuotojnë 1.40 fitoren e Skenderbeut, 4.2 barazimin dhe 6 fitoren e Dinamos kampiones së Shqipërisë, që luan në kryeqytet.

Ndërkohë, ndeshja tretë e ditës së sotme është ajo mes Tiranës dhe Elbasanit, skuadër që tashmë ka siguruar rënien nga kategoria.

Top Channel