Shijaku jeton përmes njerëzve të mençur, bujarë dhe punëtorë. I përfshirë nga ethet e politikës, qytetin që njihet si vendbanim i hershëm ilur, nga zbulimet në afërsi të fshatit Sallmone, do t’a mbajmë larg kësaj atmosfere.

Në rubrikën e pasdites në Top Channel, fokusi është mbi njerëzit që e kanë lidhur jetën me Shijakun dhe e duan atë siç mund të donte një i huaj ‘metropolin” e tij të madh, në një nga shtetet më të mëdha të botës.

Me deshirën për t`i dhëne më shumë qytetit seç i ka dhënë ai atij, piktori Agim Faja jeton me punën e tij hulumtuese.

Perveç pikturës, kompozimin e fundit të së cilës e ka hedhur në telajo 17 vjet më parë,  ai sot punon për tjetër gjë.

Së bashku me përkthyesin, Niko Sudari, ai po merret me historikun e qytetit, mision që Faja e konsideron në radhë të parë si një detyrë.

”Historia e Shijakut është shumë e hershme, pasi nis shumë herët, së bashku me historinë e Durrësit dhe këtu ka patur vendbanime ilire.

Kuptohet, historia lidhet më pas ngushtë me atë të Shqipërisë dhe Durrësit. Shijakasit kanë qenë të parët që janë nisur për në Durrës për të kërkuar armë, për të mbrojtur atdheun kur ka lindur nevoja”, thotë Faja.

Studenti i parë i brezit të piktorëve në Akademine e Arteve, Faja numëron aktualisht 13 mijë faqe dorëshkrime të hedhura për 40 vjet. Mbresa, kujtime, reflektime për artin e realizmit socialist dhe muzikën klasike, i gjejmë në raftet e studios së tij, aty ku koha merr kuptim dhe puna skrupuloze fiton vlerë.

Artisti me shije të hollë, ku përmes penelit na ka dhënë dritë, dashuri, intimitet,  ndjesi poetike dhe jetë, siç thotë Kujtim Buza, është frymëzuar edhe prej autorit popull.

Mbledhësi i vargjeve popullore thotë se në pikturen e “nudo-s”, aty ku hiri femëror fiton magjinë dhe muza e artistit arrin kulmin, ky varg ka patur peshë.

”Unë kam mbledhur shumë këngë, madje shumë erotike dhe shumë interesante. Shijakasit, në natyrë janë njerëz të qejfit dhe të dashurisë”.

Shijaku është qyteti i diversitetit. Ky është vendi ku besimtarët falen pesë herë në ditë, që në kohën e ish-mbretit Zog, vendi i shenjtë shërbente si i tille.  

Në kushtet e sotme, islami bashkëjeton me ateizmin. Myftinia e xhamisë së Shijakut,  Bledar Haxhiu, tregon se pas viteve `90 , ky vend filloi të funksiononte si i tille, por sot kjo bashkëjetesë për këtë komunitetet është dërmuese.
“Vështirësitë janë të mëdha. Në fenë tonë, gratë kanë vende të tjera ku të falen, të pastrohen apo kryejnë ritet e tyre, por në xhaminë tonë këto mungojnë dhe kjo është një arsye që i largon njerëzit nga feja”, thotë Haxhiu. ”Për fat të keq, sot janë shtuar shumë pseudomuslimanët, e pseudo të ndershmit”.

Pranë Shijakut ndodhet Boraka, fshat i populluar nga boshnjakë, të ngulut atje 130 vjet më parë. Njerëz të qejfit, ata bashkëjetojnë me shqiptarët pa humbur gjuhën dhe traditat.

Te martuar brenda dhe jashte ‘etnisë”, Fikret Kllari, boshnjak prej Mostarit, ai është njëri prej 10 mijë të emigruarve në tokën shqiptare. I apasionuar pas futbollit dhe ekipeve të sportit, tregon se i pëlqen Shqipëria dhe se prej saj nuk do të zhvendosej kurrë.

”Unë kam lindur këtu, babai im ka lindur këtu dhe edhe gjyshi ka lindur këtu, prandaj mund të thuhet se tashmë jemi shumë më tepër shqiptarë se sa boshnjakë. Megjithatë, traditat janë ruajtur dhe sot ato janë bërë të barabarta me traditat shqiptare”, thotë Kllari.

Ai tregon se ceremonitë e dasmave i nisin me kënget e Shqipërisë së Mesme dhe i përfundojnë me vallen katërshe boshnjake. Dhe në këtë harmoni traditash, ajo që i tërheq më shumë pas vendlindjes është muzika.

”Bosnjakët janë njerëz të punës, por edhe njerëz të qejfit. Nëse marrim vesh që organizohet ndonjë koncert në Sarajevë, në Banja Luka apo diku tjetër, organizohemi dhe shkojmë”.

Shijakasit e kanë zakon të jetojnë në harmoni me njeri-tjetrin. Vilat pranë e pranë tregojnë për jeten e tyre të përbashkët. Suzi Curri është një prej grave më aktive në qytet, e cila po lufton për të drejtat e saj.

Të vizitosh Shijakun të duhen pak minuta, ndërsa të takosh njerëzit e tij të duhen shumë kohë. Qyteti i vogël i Shqipërisë së Mesme flet në çdo kohë, sikundër bëri tani, në të strehohen shpirtra të bukur, të një jete në vazhdim.

Top Channel