ODIHR: Fushata me incidente

15/04/2011 18:40

Organizata për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, ODIHR publikoi raportin e parë paraprak për zgjedhjet e 8 Majit. (UPDATE)

Që në fillim të tij evidentohen disa boshllëqe, përfshi kuptime të dyfishta në Kodin Zgjedhor, pavarësisht ndryshimeve që përmban kodi i ri elektoral të cilat erdhën në vitin 2008 nga ndryshimet që pësoi Kushtetuta.

Megjithë ndryshimet disa prej rekomandimeve të OSBE/ODIHR kanë mbetur pa u përmbushur, packa se qeveria informoi organizatën se kishte prirje që rekomandimet të zbatoheshin.

ODIHR vëren se komisionet  për administrimin elektoral të zonave janë formuar jo në  afatin e kërkuar, pasi partitë politike dështuan në dërgimin e përfaqësuesve të tyre.

“Shumica e partive politike zgjodhën anëtarët e komisioneve ndërsa partitë opozitare nuk e bënë një gjë të tillë deri në fund të muajit mars. Ndërsa Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve vendosi kandidatë nga shoqëria civile në komisionet  për administrimin zgjedhor”, thuhet në raport.

Vëzhguesit e ODIHR në lidhjeve me emrat e përsëritur në listat zgjedhore kanë evidentuar përpjekjet për heqjen e tyre duke verifikuar saktësinë e të dhënave.
Ndërsa KQZ ka marrë 55 ankesa për vendimet e KZAZ-ve që kanë të bëjnë me regjistrimin e kandidatëve.

Raporti vijon duke i bërë një panoramë partive pjesëmarrrëse dhe koalicioneve në këtë garë elektorale duke nënvizuar faktin se megjithëse fushata zyrtare prej 30 ditësh nisi më 8 Prill, partitë politike e kishin nisur atë më parë. Udhëheqësit e partive politike zhvilluan mitingje dhe takime me votuesit dhe prezantuan kandidatët lokalë.

ODIHR në seksionin për situatën politike në vend vëren se pas zgjedhjeve të qershorit 2009 situata politike është tejet e polarizuar, e mbushur me retorika të ashpra dhe sulme personale, gjithashtu me protesta të inicuara nga opozita, sic ishte ajo e 21 janarit ku protestuesit u përleshëm me forcat e sigurisë. Katër persona humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën. 

Parlamenti nisi hetimet për ngjarjen, ndërsa Prokuroria e Përgjithëshme nisi një tjetër hetim për të hedhur dritë për vrasjet. Këto hetime që kanë ndezur debatet politike ende nuk kanë përfunduar.

Raporti ndalet edhe në kërkesat e parashtruara nga opozita, e cila  ka shfaqur shqetësime duke hartuar disa propozime për pasjen e garancive për një proces të drejtë përfshi vendosjen e skanerave të kartave të identitetit, listat përfundimtare të votueseve, rinumërimin e kutive nëse kërkohen nga dy antarë të KQZ-s.

Në pikën shtatë të raportit analizohen shifrat e votuesve ku në Nëntor të  2010 u gjetën 39,000 dublikime, shifër e cila pas ndërhyrjes së gjendjes civile u ulën në 1600.

Duke futur në skaner fushatën elektorale ODIHR vëren se përpara hapjes zyrtare lëvizja, Zgjohu sulmoi me spote liderin e opozitës kandidat për Bashkinë e Tiranës.

Gjithashtu hartuesit e raportit e komentojnë fushatën si të ashpër, e mbushur me sulme personale të cilat vazhdojnë ende nga palët me akuza të ndërsjellta korrupsioni, ku theksi i është vënë si nga Partia Demokratike ashtu dhe Partia Socialiste, garës për bashkiakun e Tiranës.

Në raportin e ODIHR përmenden dhe dy incidentet me armë më 1 Prill në Tiranë dhe 2 Prill në Lezhë, ku sipas policisë, ngjarja në kryeqytet ishte e motivuar politikisht, ndërsa ajo e Lezhës s’kishte lidhje me politikën.

Më 4 Prill,  Drejtori i Inspektoriatit Ndërtimor të Bashkisë së Tiranës u qëllua me armë dhe u plagos. Një ditë më parë, shkruhet në raport, ai kishte urdhëruar heqjen e banerave politike në vendet e pautorizuara. Hetimet, shkruhet në raport, vazhdojnë. Vendosja e materialeve të fushatës sic janë flamujt dhe baneret ka cuar në grindje në disa raste.

Duke ndaluar në një tjetër pikë të raportit, atë për Mediat, OSBE/ODIHR thotë se më 8 prill Bordi i Monitorimit të Medias nisi të mbikëqyrë 62 stacione televizive, 2 radio duke i dhënë një informacion të përditshëm Komisionit Qendror Zgjedhor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA