
Ky është një sezon për t’u harruar për Bayern Munchen, pa mundësi për të fituar ndonjë titull, por drejtuesit e klubit bavarez janë të vendosur të rikthehen pretendentë vitin e ardhshëm, nëpërmjet një fushate të fuqishme blerjesh.
Për Hoennes dhe Beckenbauer është e qartë që reparti më problematik i skuadrës është mbrojtja. Qendërmbrojtësi i Benfica-s, Fabio Coentrao, është shndërruar në synimin kryesor të ekipit gjerman, edhe pse konkurrenca për të pritet të jetë e fortë edhe nga klubet e Premier League.
Një marrëveshje me Schalke 04 për Manuel Neuer duket se është arritur, ndërsa Benedict Howedes i të njëjtit ekip dhe Per Mertesacker i Werder Bremen dhe kombëtares janë gjithashtu dy objektiva.
Përforcime kërkohen prej klubit më të suksesshëm në historinë e futbollit gjerman edhe në mesfushë. Jupp Heynckes, trajneri i ardhshëm i bavarezëve, kërkon të tërheqë me vete në “Allianz Arena” edhe Arturo Vidal-in e Leverkusen-it.
Për të mundur skuadrën e “aspirinave” që të heqin dorë nga lojtari kryesor i tyre, Bayern mund të sakrifikojë Tony Kroos-in, i cili nuk është ngritur në nivelin e pritshmërive.
Miroslav Klose dhe Hamit Altintop janë në skadim të kontratës dhe besohet se nuk do t’u paraqitet asnjë ofertë për rinovim.
Largimi i tyre pritet të sjellë në skuadër dy talente të futbollit francez, Eden Hazard nga Lille dhe Ayeë nga Marseille. Përsa i përket dy yjeve të skuadrës, Ribery dhe Robben, të dy janë të pashitshëm.
Top Channel