
Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për akcizat”. Në një deklaratë të publikuar në faqen e Presidencës, kreu i shtetit u shpjegon deputetëve arsyet e këtij vendimi ku thekson se ndryshimi i bërë për nenin 24 të ligjit ekzistues, bie në kundërshtim me nenin 33 të MSA-së.
“Arsyeja, për të cilën nuk e dekretova këtë ligj, lidhet kryesisht me ndryshimin dhe shtesat që i bëhen nenit 24 të ligjit ekzistues ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar dhe shtojcës bashkëlidhur këtij ligji. Ky rregullim, sipas vlerësimit tim, bie ndesh me ligji nr. 9590, datë 27.7.2006 ‘Për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komuniteteve Europiane e shteteve të tyre anëtare’. Konkretisht, neni 33 i Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit ndër të tjera parashikon se ‘që nga data e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, nuk vendosen detyrime doganore të reja për importet ose eksportet, ose tarifa të reja me efekt të njëjtë me to, dhe nuk rriten as ato që zbatohen tashmë në tregtinë ndërmjet Komunitetit dhe Shqipërisë’. Në vetvete ky ligj ndryshon tarifat e përcaktuara para hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, marrëveshje e cila në hierarkinë e normave ligjore vjen pas Kushtetutës”, shpjegon presidenti.
“Sipas gjykimit tim, vendosja e këtij rregullimi të ri ligjor, prish parimin e një sistemi ekonomik të bazuar në ekonominë e tregut, sanksionuar kjo dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe passjell një trajtim diskriminues për prodhuesit vendas. Me ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, vendi ynë ka marrë përsipër jo vetëm angazhimin për rritjen e lirive politike e ekonomike që janë bazat themelore të kësaj marrëveshjeje, por edhe angazhimin ndaj parimeve të ekonomisë së tregut të lire”, theksoi Topi.
Sipas presidentit, “ndryshimet e shpejta, përveçse nuk sjellin pritshmërinë e dëshirueshme, mund të shkaktojnë një efekt tërësisht të kundërt”.
“Ligje të këtij karakteri janë ligje me pasoja të ndjeshme, të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në krijimin e një klime, të favorshme apo jo, për zhvillimin dhe nxitjen e ekonomisë së tregut. Ky ligj, përveçse shton koston e prodhimit të industrisë vendase, mund të sjell dhe një tjetër efekt negativ në lidhje me të punësuarit pranë kësaj industrie, e cila mund t’iu shkaktoj këtyre të fundit, humbjen e vendit të punës”, shprehet Topi.
Top Channel