Peshëngritje, Godelli fiton medaljen e bronzit

13/04/2011 20:10

Daniel Godelli merr medaljen e bronzit në Europianin e Peshëngritjes që po zhvillohet në Kazan të Rusisë.

Peshëngritësi shqiptar ngriti 145 kg në stilin e shkëputjes dhe 176 në atë të shtytjes. 19-vjeçari nga Elbasani kishte mundësi të ngrinte më shumë në stilin e shtytjes por në provën e dytë me 179 kg pësoi një dëmtim në bërryl, i cili i hoqi të drejtën të pretendonte për më shumë.

Gjithsesi 321 kg të ngritura në dygarësh, i japin të drejtën Godellit të fitojë medaljen e bronzit, rezultati më i mirë për të në një kampionat europian për të rritur.

Në kampin e femrave, Fetije Kasaj zuri vendin e pestë në peshën 58 kg. Peshngritësja shqiptare nuk u paraqit mirë në stilin e shkëputjes pasi ngriti 83 kg duke zënë vetëm vendin e 9. Në stilin e shtytjes 26-vjeçarja ngriti në provën e parë 107 kg, ndërkohë që dështoi në dy provat e tjera pasardhëse me 111 kg dhe 112 kg.  

Nuk u paraqit mirë shqiptarja tjetër Romela Begaj, e cila zhgënjeu në stilin e shkëputjes dhe nuk mori pjesë në stilin e shtytjes.

Top Channel