Topi: Dhuna, partitë përgjegjëse

12/04/2011 12:45

Takimi me përfaqësues të Transparency International Albania dhe forumit “Mendimi i Lirë” ishte një rast për presidentin e Republikës të përsërisë thirrjet për qetësi gjatë fushatës elektorale. (UPDATE)

Presidenti konstatoi se për fat të keq situata ka rrëshkitur në raste të dhunës fizike, që ka ardhur pas përdorimit të dhunës verbale.

“Nëse ka dhunë, faji është i partive politike të cilat e kanë stimuluar këtë edhe nëpërmjet debateve aspak qytetare. Bëj apel që të ulin tensionin, përkundrazi të bëjnë apele për tolerancë. I bëj thirrje kandidatëve të kandidojnë me programe”, deklaori Topi.

Por ndonëse është tejkaluar nga ngjarje më të rënda të aktualitetit politik, financimi i partive për fushatën zgjedhore mbetet një problem kronik. Presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e bërjes transparente të financimeve të partive, në përputhje me ligjin.

“Është një temë që trajtohet në mënyrë të vazhdueshme dhe është futur në një terren kronik. Flitet dhe vetëm flitet, duke bërë që kjo çështje të lërë shumë për të dëshiruar”, theksoi Topi.

Drejtuesit e Transparency International Albania dhe forumit të mendimit të lirë vlerësuan rëndësinë e transparencës së financimit të politikës, për t’i prerë rrugën parapagimit të korrupsionit nga sipërmarrës privatë, të cilët paguajnë në mënyrë informale kostot e fushatave elektorale.

TIA paraqiti detaje të një projekti që po zbaton për monitorimin e ligjit dhe financimin e politikës, ndrësa forumi i mendimit të lirë prezantoi një studim të kryer gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare, me Soros dhe institutin për kërkime dhe zhvillime alternative, ku konfirmohet me shifra informaliteti i financimit të fushatës elektorale.

Top Channel