Ragnick-Leonardo: Nuk ka mbaruar ende

12/04/2011 18:15

Trajneri i Schalke 04, Ralf Ragnick, nuk e nënvlerëson Interin përpara ndeshjes së kthimit në Gelserkishten, pavarësisht se ekipi i tij do të mbrojë një avantazh të madh, të arritur në fitoren 5-2 të së martës së shkuar.

”Do të më pëlqente të cilësoja ndeshjen e Milanos si pjesën e parë të kësaj sfide dhe asnjë skuadër nuk kualifikohet duke shkuar menjëherë në dhomat e zhveshjeve”, tha në konferencën për shtyp pasardhësi i Felix Magath.

”Objektivi nuk është larg, por jemi vetëm në mesin e rrugës sonë. Është e rëndësishme të zbresim në fushë njësoj sikur të luanim një finale me një takim të vetëm, e cila nis në 0-0.

Është e rëndësishme që të vazhdojmë të shfrytëzojmë hapësirat që ata do të lënë gjatë ndeshjes, diçka që një javë më parë e bëmë në mënyrë të mrekullueshme”.

Nga ana e tij, edhe trajneri i Interit, Leonardo, u shpreh në sintoni të plotë me kolegun e tij gjerman. “Nuk ka përfunduar ende, edhe pse çdo njeri i logjikshëm e ka të qartë që do të jetë shumë e vështirë për ne.

Ne kemi një skuadër të mësuar me fitore, prandaj ndeshja e nesërme do të jetë edhe një ndeshje krenarie. Është e rëndësishme të zbresim në fushë të vendosur dhe të luajmë për fitore. Edhe nëse nuk kualifikohemi, duhet të luajmë shanset tona”.

Një ditë më parë, presidenti i zikaltërve, Massimo Moratti, u shpreh se “ndonëse duket e pamundur, gjëja më e bukur e futbollit është paparashikueshmëria e tij”.

Top Channel