
Kryeministri Sali Berisha prezantoi në Bashkinë e Shijakut kandidatin e “Aleancës për qytetarin”, Afrim Brahimaj që kërkon të marrë mandatin e parë në bashkinë e drejtuar nga të majtët.
“Ka ardhur koha që ky qytet të rilindë dhe zëri juaj të dëgjohet. Bashkohuni me mua për fitoren tonë, për fitoren e qytetarisë”, tha Brahimaj.
Kryeministri Berisha tha se në këtë fushatë kandidatët e “Aleancës për qytetarin” paraqiten si përfaqësues të një koalicioni që ka mbajtur premtimet e veta, që jo vetëm liberalizoi vizat, por citohet nga Komisioni Europian si ekonomia me rritjen më të madhe në Europë.
“E vërteta për Shqipërinë, thotë Brukseli, se ekonomia nuk është në zhvillim, por në vrapim. Papunësia është duke ulur dhe rrogat janë duke u rritur. Ne i qendrojmë kësaj alternative”, deklaroi Berisha.
Sipas kryeministrit, në 4 vjet në Shijak janë shtruar me fondet e qeverisë 16 km rrugë, ose siç tha ai 4 km më shumë sesa janë shtruar për 4 vjet në Bashkinë e Tiranës.
Por duke anashkaluar replikat me zotin Rama, i cili e akuzon çdo ditë kryeministrin për keqqeverisje, mesazhi i Sali Berishës për Edi Ramën ishte fare i shkurtër.
“Dua t’i them zotit Rama se gjuha e çdo kombi ka një kosh për fjalë të papërshtatshme. Çdo njeri mund ta fusë dorën në atë kosh, ti vazhdo t’i përdorësh, ne nuk do t’i përdorim”, theksoi Berisha.
Top Channel