Montezemolo: Formula 1 nuk funksionon

12/04/2011 20:50

Presidenti i Ferriarit, Luca Cordero di Montezemolo, kritikoi publikisht modelin aktual të Formulës 1.

Gjatë një ceremonie në të cilën ai prezantoi një video mbi historinë e “kokëkuqes”, Montezemolo shtoi edhe se pret që skuadra e tij të tregojë një reagim të menjëhershëm në garën e tretë të sezonit në Kinë.

”Aktualisht, 80% e makinës varet vetëm nga aerodinamika dhe nuk mund të vazhdohet kështu. Tunelet e erës funksionojnë 24 orë në 24, por Formula 1 ka të bëjë edhe me motorin me mekanikën”, theksoi drejtuesi më i lartë i Ferrarit.

”Për mendimin tim, gjërat nuk funksionojnë mirë kështu. Është absurd fakti që jemi sporti i vetëm profesionist në botë ku nuk mund të stërvitesh. Testimet duhet të rikthehen, pa dyshim, duke gjetur edhe një marrëveshje për kostot.

Kemi nevojë për një rregullore të re që t’i përshtatet kohës dhe të mos i ndërlikojë gjërat kaq shumë”.

Top Channel