Champions, luhen çerekfinalet e dyta

12/04/2011 13:15

Trajneri i Chelsea, Carlo Ancelotti, ka përgënjeshtruar fjalët të cilat rrethojnë skuadrën e tij rreth Champions League, duke e konsideruar këtë veprimtari për ta si një obsesion.

Akuzat kanë ardhur nga trajneri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, i cili do të presë sot në “Pallatin e Ëndrrave” Blutë e Londrës për ndeshjen e kthimit të fazës çerekfinale, pas fitores 1-0 që ka arritur Manchester në Stamford Bridge në ndeshjen e parë.

“Champions League nuk është një obsession për ne, thjesht një ëndërr”, ka deklaruar trajneri i Chelsea, Karlo Anceloti në konferencën për shtyp. Trajneri italian është pyetur edhe për zhbllokimin e Fernando Torres në këtë ndeshje, por sipas tij fitorja do të ishte më e rëndësishme se sa një gol i spanjollit.

Më parë Manchester United dhe Chelsea janë përballur bashkë në finalen e kësaj veprimtarie e fituar nga Djajtë me 11-metërsha.

Në Old Trafford Manchesteri ka humbur vetëm 1 nga 30 ndeshjet e zhvilluara në veprimtaritë europiane, gjithsesi Ferguson nuk mendon se do të jetë i lehtë kualifikimi pavarësisht fitores 1-0 në ndeshjen e parë.

Ndërkohë ndeshja tjetër e mbrëmjes së sotme është ajo mes Shakhtarit dhe Barcelonës. Megjithatë duket gjithçka mbyllur në letër për kualifikimin e katalanasve të cilët kanë fituar 5-1 ndeshjen e parë në Kamp Nou.

Por pavarësisht këtij fakti, Guardiola ka deklaruar se nuk mund ta konsiderojë këtë ndeshje përballë ukrainasve si një ndeshje stërvitore.

Top Channel