Superliga, fiton Tirana e Vllaznia

11/04/2011 22:20

Vllaznia dhe Tirana e kanë mbyllur me fitore javën e 27, duke ruajtur vendet e tyre në klasifikimin e Superligës.

Vllaznia mundi 3-1 në Loro Borici Dinamon, skuadra që e eleminoi pak ditë më parë nga Kupa e Shqipërisë.

Protagonisti i fitores së shkodranëve ishte Xhevahir Sukaj, autor i dy golave. Golin e parë, Sukaj e shënoi në minutën e 24 të ndeshjes pasi u gjend i vetëm përballë portierit dinamovit. Vetëm 8 minuta më vonë, Sukaj shënoi sërish duke cuar të qetë drejt dhomave të zhveshjes ekipin e Vllaznisë.

Në të dytën Vila me 11 metërsh ngushtoi diferencën e golave, por Shtubina në fund me golin e tij vulosi fitoren 3-1 të ekipit të Josës që mban vendin e tretë me 47 pikë.

Tirana ka mundur Lacin duke rihapur luftën për vendin e katërt. Bardheblutë dominuan ndeshjen duke e fituar atë me rezultatin e thellë 4-0. protagonistët e fitores së kryeqytetasve ishin dy futbollistët e shumëpërfolur në këtë pjesë të dytë të sezonit, Gilman Lika dhe Jahmir Hyka të cilët shënuan 3 gola, ndërkohë që golin tjetër e shënoi kapiteni Andi Lila me 11 metërsh.

Top Channel