Plumba shtëpisë së vëllait të Messi-t

11/04/2011 19:45

Shtëpia e vëllait të futbollistit Leo Messi, Matias, u vendos në shënjestrën e plumbave të lëshuar nga një dorë e panjohur ditën e sotme, në qytetin argjentinas Rozario.

Sipas rindërtimit të policisë, banesa e 29-vjeçarit u godit me një pistoletë 9 milimetra, nga një motorçikletë në lëvizje, gjatë mëngjesit të së shtunës. Megjithatë, për arsye të paqarta, denoncimi i Matias u bë vetëm ditën e sotme.

Shtëpia e qëlluar është e njëjta me atë që Messi qëndron gjatë kohës kur është në vendlindjen e tij.

”Nuk gjej asnjë shpjegim për këtë ngjarje. Ka një problem pasigurie që vuajnë qytetarët, por ky është një rast edhe më i bujshëm, pasi bëhet fjalë për familjen Messi”, deklaroi Ricardo Giusepponi, avokat i familjes së futbollistit.

Duke përfituar nga ngjarja, ai ironizoi me një dënim të mëparshëm që i është bërë Matias Messi-t në vitin 2008, pasi u zbulua se mbante me vete një pistoletë pa leje.

Top Channel