Milan rivendos avantazhin +3

11/04/2011 08:05

Milani bën detyrën edhe në Artemio Franki ku ka mundur 2-1 Fiorentinën, duke rivendosur sërish avantazhin daj Napolit që fitoi gjithashtu këtë javë me Bolonjën.

Shumë shpejt kuqezinjtë kalojnë në avantazh me Klarenc Sedorf i cili merr një asist nga Ibrahimovic për të zhbllokuar rezultatin. Minutat në vazhdim folën sërish për kuqezinjtë të cilët rrezikuan edhe në disa raste të tjera me Paton, por portieri Boruc nuk lejoi brazilianin të kalonte në avantazh.

Por, në mbyllje të pjesës së parë është pikërisht Aleksandre Pato që shënon edhe golin e dytë pas një asisti të Boateng.

Në pjesën e dytë është Ibrahimovic ai që shpërdoron disa raste për Milanin, ndërkohë që Fiorentina, në minutën e 80-të shënon golin e parë dhe të vetëm të takimit me Vargas i cili ndihmohet edhe nga devijimi i Gatuzos.

Shtohet tensioni në fushë dhe Ibrahimovic e sheh sërish veten të largohet me kartonin e kuq, pasi ka ofenduar gjyqtarin ansor. Gjithsesi kjo mungesë nuk ndryshon asgjë në minutat e mbetura për Milanin që vazhdon të kryesojë i vetëm Serinë A 3 pikë përpara Napolit.

Top Channel