Ferrari pranon fillimin zhgënjyes

11/04/2011 19:55

Një ditë pas garës së dytë larg podiumit prej Ferrarit, presidenti i skuadrës, Luca di Montezemolo, shprehu në mediat italiane të gjithë zhgënjimin e tij për këtë fillim të dobët të “kokëkuqes”.

”Pa dyshim, nuk mund të jem i kënaqur nga ky fillim i sezonit, por kam një besim shumë të madh tek njerëzit që edhe më parë, kanë ditur të reagojnë në momente vështirësish. Jam i sigurt se reagimi do të jetë i madh”, deklaroi di Montezemolo.

”E di që të gjithë janë duke punuar shumë intensivisht dhe unë kam një bindje të palëkundur në aftësitë profesionale dhe njerëzore të njerëzve tanë. Mendoj se shumë shpejt do të përfundojë koha në të cilën synojmë në rastin më të mirë një vend në podium”.

Megjithatë, presidenti i skuadrës historike paralajmëroi se nuk do të ketë mrekulli që në garën e ardhshme, në Shangai. “Ky është një sport ku nuk mund të stërvitesh dhe për të prezantuar modifikimet, duhet pritur gara.

Unë shpresoj në përmirësimin e rezultateve tona, por nuk pres që të shohim ndonjë revolucion të madh brenda një jave”.

Top Channel