Beckenbauer: Shkarkimi i Van Gaal, i paevitueshëm

11/04/2011 10:10

Franz Beckenbauer, presidenti i nderit i Bayern Munchen, shprehet se shkarkimi i trajnerit Louis Van Gaal ishte “i paevitueshëm” dhe se erdhi “shumë vonë”.

“Shkarkimi i Van Gaal ishte i paevitueshëm. Drejtuesit e Bayern menduan se do të funksiononte duke e mbajtur deri në fund të sezonit, por kjo nuk ndodhi. Duke qenë se kishin vendosur ta largonin, drejtuesit do bënin më mirë ta kishin larguar menjëherë”, lexohet në një shkrim të Beckenbauer të publikuar në gazetën ‘Bild’.

Legjenda e futbollit gjerman thekson se zakonisht lojtarët nuk dëgjojnë një trajner që do të largohet në fund të sezonit dhe kjo gjë po ndodhte tek bavarezët.

Beckenbauer rikujtoi edhe një herë meritat e trajnerit hollandez në vitin e parë të drejtimit të Bayern Munchen: “Fitoi kampionatin, kupën dhe na dërgoi në finalen e Ligës së Kampioneve. Gjithashtu ndihmoi në rritjen e Holger Badstuber dhe Thomas Muller.”

“Personalisht, më vjen shumë keq që u largua edhe pse vetë do ta kisha larguar më parë”, përfundoi Beckenbauer.

Top Channel