Napoli “kërcënon” Milanin

10/04/2011 17:10

Napoli fitoi 2-0 në transfertë ndaj Bolonjës duke i rimarrë vendin e dytë Interit si dhe duke kërcënuar seriozisht Milanin e vendit të parë që në mbrëmje luan transfertën e vështirë ndaj Fiorentinës.

Dy gola të shënuar në pjesën e parë, njëri me anë të Maskarës në minutën e 30 dhe tjetri në përfundim të kësaj pjese më 11 metërsh nga Hamshik, i kanë mjaftuar napolitanëve për të marrë 3 pikë mjaft të rëndësishme që i ngjisin në kuotën e 65 pikëve, po aq sa Milani që kryeson falë golavarazhit.

Ndërkohë, Juventusi, edhe pse u gjend 2 herë në disavantazh, në fund ka fituar 3-2 përballë Xhenoas duke mbajtur gjallë shpresat për një vend në kupat e Europës.

Lacio ka përfituar nga humbja e Udinezes përballë Romës në ndeshjen e së shtunës duke i rimarrë friulianëve vendin e 4 që përkthehet në pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve. Bardhekaltërit fituan në Olimpiko përballë Parmës, pastër 2-0. Golat u shënuan nga Hernanes në minutën e 23 dhe Flokari në minutën e 77.

Në ndeshjet e tjera, Bari barazoi me Katanian 1-1. Po 1-1 barazoi edhe Kaljari me Breshian, ndërsa Sampdoria u mund në fushën e saj me rezultatin 1-2 nga Lece duke parë veten tashmë vetëm 1 pikë larg zonës së ftohtë në klasifikim.

Palermo e Cezena u ndanë në barazim 2-2. Miqtë shënuan dy herë në minutat e fundit duke marrë një pikë me vlerë në luftën për mbijetesë në Serinë A, pavarësisht se e mbyllën takimin me 8 lojtarë pas 3 kartonëve të kuq.

Java e 32 e Serisë A mbyllet në mbrëmje me kryendeshjen e kësaj jave, ajo mes Fiorentinës dhe Milanit.

Top Channel