NBA, Bullsat, të parët pas një dekade

08/04/2011 20:55

Chicago Bulls siguruan fitoren e 58 në sezonin e rregullt të NBA-së dhe përforcuan vendin e parë të Konferencës së Lindjes, i arritur për herë të parë që prej skuadrës fantastike të Micheal Jordan, Scottie Pippen dhe Phil Jackson, në vitin 1997-98.

Suksesi i “demave” ishte edhe më domethënës, pasi poshtëruan me rezultatin 97-81 rivalët kryesorë për titullin dhe finalistët e sezonti të shkuar në plejof, Boston Celtics.

Rose, me 30 pikë të realizuara, ishte njeriu që udhëhoqi Bullsat drejt fitores së pestë rradhazi, por e shkëlqyer u tregua edhe dyshja Boozer-Noah, me të cilët Chicago ka fituar 20 prej 25 takimeve të fundit.

Ditën e dielë, Bostoni do të udhëtojë në fushën e Miami-t, në një ndeshje që do të jetë përcaktuese për vendin e dytë në Konferencën e Lindjes.

Ndërkohë, intensifikohen zërat për njeriun që do të zëvendësojë Phil Jackson në stolin e Lakers-ave. Kandidati kryesor duket se është ish-trajneri i Utah Jazz, Jerry Sloan.

Top Channel