Leonardo: Do t’a kisha kuptuar shkarkimin

08/04/2011 19:35

Trajneri i Interit, Leonardo, është i vendosur që të bëjë të harrohen sa më shpejt dy disfatat e këqija ndaj Milanit dhe Schalke-s, ndërsa rastin për t’u rikthyer në rrugën e duhur ia ofron nesër ndeshja me Chievo-n.

”Nëse do të kisha qenë unë drejtues, me shumë mundësi, pas ndeshjes me Schalke-n do t’a kisha shkarkuar veten, por vazhdoj të ndihem i qetë, pasi kam patur të gjithë mirëkuptimin e presidentit”, deklaroi Leonardo.

”Nuk kam frikë nga humbja e vendit, nëse do të ndodhë do të ndodhë. Unë vazhdoj të jem i bindur se mund të rimarrim në dorë situatën. Potenciali i skuadrës nuk mungon, por është e qartë që tani duhet të bëjmë rezultate të mira.

Këto dy të fundit kanë qenë humbje të rënda, edhe pse matematikisht jemi ende në luftë. Tifozët kanë besim tek një përmbysje në fushën e Schalkes dhe unë u them që do të shkojmë atje për të luajtur, por përpara është Chievo dhe duhet të mendojmë për t’a fituar këtë ndeshje”.

Gojëve të liga që përflasin një “krisje” të marrëdhënies së brazilianit me futbollistët, ish-milanisti iu përgjigj: “Me lojtarët kam një marrëdhënie të shkëlqyer. Nuk mund të them asgjë të keqe për ta në asnjë lloj këndvështrimi. Ata duhet të ndihen të qetë dhe të mendojnë për situatën e tyre, jo për atë të trajnerit të tyre”.

Duke iu rikthyer ndeshjes derbi, pasi përjashtoi mundësinë që të mbetet tek Interi si drejtues në të ardhmen, Leonardo shtoi: “Që prej fillimit të ndeshjes krijova një formacion ofensiv, gati gati të çekuilibruar, pasi kishim nevojë të bënim pikë për të vazhduar përmbysjen.

Skuadra ka bërë shumë gjëra, por kur mbërriti momenti kyç nuk ishim në momentin e duhur. Pavarësisht se kemi pësuar shumë gola në dy ndeshjet e fundit, në pothuajse të gjithë prej tyre mbrotja ka qenë e vendosur mirë”.

Top Channel