Kreditë, kushte të reja për interesat

08/04/2011 19:20

Banka e Shqipërisë ka bërë disa ndryshime ligjore ku ndalon përfundimisht bankat private të rrisin pa parlajmërim interesat e kredive ekzsituese, një fenomen ky me të cilin u përballën jo pak qytetarë gjatë kulmit të krizës financiare.

“Në një nen të veçantë të rregullores përcaktohet detyrimi që banka nuk mund të ndryshojë metodologjinë e llogaritjes së normës së interesit përgjatë kohëzgjatjes së kredisë, gjithnjë pa pëlqimin e klientit”, deklaroi Ermira Tepelena, Departamenti i Mbikëqyrjes.

Rregulloret e miratuara vendosin kufij edhe mbi penalitetet që bankat mund t’u mbajnë individëve ose bizneseve që duan ta shlyejnë kredinë përpara afatit të maturimit.

“Për rastin që kjo periudhë e shlyerjes së parakohshme përkon me periudhën mbi një vit nga data e maturimit të kredisë, ky kufi duhet të jetë 2% për shumën që klienti i detyrohet bankës dhe 1% në rastin kur periudha është nwn një vit”, tha Tepelena.

Ndryshimet ligjore bëjnë të mundur për qytetarët që nuk kanë njohuri financiare, të mund të krahasojnë se cila bankë u ofron kushtet dhe interesat më të mira si për kreditë ashtu dhe depozitat.

“Po vendoset detyrimi për bankat për një detyrim periodik të normave të interesave për kreditë, depozitat dhe komisionet e shërbimeve sipas një forme tashmë të standardizuar dhe kjo t’i japë të drejtën autoritetit mbikëqyrës që të bëjë publikimin mbi baza të përmbledhura dhe krahasimore duke lehtësuar kuptimin e ktyre kushteve nga ana e publikut”, shtoi Tepelena.

Banka thotë se përmes ndryshimeve në rregullore do të mbikqyrë më hollësisht edhe mënyrën se si bankat private i llogarisin komisionet që u ngarkojnë individëve për produktet dhe shërbimet që ato ofrojnë.

Këto ndryshime kanë për qëllim të rrisin disiplinën dhe transparencën në tregun financiar, një nga kërkesat kryesore të BE-së.

Top Channel