
Departamenti amerikan i Shtetit, publikoi raportin e të drejtave të njeriut në botë për vitin 2010. Duke iu referuar Shqipërisë, dokumenti prej 25 fletësh i përmend zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009, të cilat, sipas OSBE-së, shënuan progres krahasuar me të mëparshmet, por nuk arritën plotësisht standardet e saj.
Ndërsa Partia Socialiste votoi për çertifikimin e zgjedhjeve si të ligjshme dhe përfundimtare, ky subjekt politik nisi të bojkotojë parlamentin në shtator të vitit 2009, duke kërkuar hetim për vjedhjen e supozuar të votës. Bojkoti vazhdoi deri në fund të vitit.
Në raport thuhet se policia godet dhe keqtrajton të dyshuarit gjatë marrjes në pyetje apo burgosjes. Korrupsioni dhe mosndëshkueshmëria vazhdon.
Korrupsioni i qeverisë, nënvizon raporti, mbetet një problem serioz dhe i pazgjidhur. Diskriminimi kundër grave, fëmijëve, homoseksualëve janë probleme.
Po kështu mbetet edhe trafikimi i personave. Duke ndaluar në rolin e medias, raporti shkruan se ajo është aktive dhe kryesisht e pakufizuar, por gjithësesi ka raste direkte dhe indirekte të presionit ndaj tyre, përfshirë këtu edhe kërcënimet kundër gazetarëve.
Dokumenti përmend rolin e Top Channel, përmes emisionit investigativ, “Fiks Fare”, që çoi në shkarkimin dhe në çeljen e çështjeve penale kundër zyrtarëve të korruptuar. Raporti ndalet te shkarkimi i ministrit të Kulturës, Ylli Pango i cili akuzohet për abuzim seksual.
Më 18 qershor Gjykata e Tiranës dëgjoi padinë e Pangos dhe vendosi, shkruan raporti, të gjobisë Top Channel me 51 milionë lekë apo 500 mijë dollarë, për dëmtimin e figurës morale të ish-ministrit duke i shkaktuar atij ankth dhe pikëllim.
Top Channel apeloi vendimin dhe çështja ka mbetur ende pezull. Raporti përmend edhe çështjen e qerasë të televizionit Top Channel, shtyrjen e vendimit të vitit 2006 të Këshillit të Ministrave për të prishur qeranë 20 vjeçare për këtë televizion privat, kritik ndaj qeverisë, shkruan raporti dhe i kërkoi të boshatisë ndërtesën në pronë të shtetit, ku ishte vendosur.
Qeveria pranoi të lejonte Top Channel të lëvizte në një tjetër pronë shtetërore.
Pavarësisht këtij urdhri, Top Channel tha se banorët në pronën e re nuk e lejonin atë të zhvendosej dhe të kryente punën.
Në Mars Gjykata e Apelit ia ktheu këtë çështje për rigjykim Gjykatës së Tiranës. Kjo çështje nënvizon raporti vazhdon ende.
Top Channel