Champions, Terry ankohet për gjykimet

08/04/2011 08:25

John Terry, kapiteni i Chelsea, mendon se po bëhet gjithçka për të larguar ekipin londinez nga fitorja e Ligës së Kampioneve.

Mbrojtësi anglez është ankuar për një 11-metërsh të padhënë për Blutë në minutën e fundit të çerekfinales Chelsea-Manchester United (0-1), të luajtur të mërkurën në mbrëmje.

“I thashë djemve në dhomat e zhveshjes se jemi vetëm kundër të gjithëve dhe kjo duket nga vendimet që janë marrë kundër nesh gjatë këtyre viteve të fundit. Ishte e qartë se Ramires (mesfushori i Chelsea) u rrëzua në zonë nga Evra (mbrojtësi i Manchester) dhe arbitri nuk dha 11-metërsh”, u shpreh Terry.

“Përveç kësaj, kemi frikë të flasim hapur për këto gjëra sepse dënohemi për ndeshjen tjetër. Unë nuk mund të them atë që mendoj prandaj po them vetëm që ishte 11-metërsh i pastër”, shtoi kapiteni i Chelsea dhe kombëtares angleze.

Përsa i përket ndeshjes së kthimit në Old Trafford, Terry theksoi se asgjë nuk ka përfunduar: “Kemi një nga skuadrat më të forta në Europë dhe jemi të aftë të shkojmë në Manchester, të dominojmë lojën dhe të marrim një fitore ashtu siç kemi bërë edhe vitet e kaluara.”

Top Channel