Dështimet më të bujshme të Interit

07/04/2011 18:50

Tifozët e Interit ndihen të tronditur nga humbja 2-5 e pësuar në Champions League nga Schalke. Megjithatë, klubi zikaltër ka njohur edhe humbje të tjera shumë më të dhimbshme.

”Il Giornale” vendosi sot gishtin në plagën e gjigantëve të Milanos, duke renditur dhjetë dështimet më të bujshme në historinë e tyre.

1. Mantova-Inter 1-0 (Seria A, 1966-67). Kjo ndeshje mbahet mend për gafën e pabesueshme të portierit zikaltër, Giuliano Sarti, i cili i dorëzoi titullin kampion në javën e fundit Juventusit. Goli i mantovezëve u realizuar pikërisht nga një ish-interesit, Di Giacomo.

2. Celtic-Inter 2-1 (Finalja e Kupës së Kampioneve 1967). Një javë përpara se të humbnin titullin kampion ndaj Mantovës, Interi humbi edhe në finalen e Kupës së Kampionëve (sot Champions League). Për suksesin e tretë kontinental të historisë, zikaltërve iu desh të prisnin deri në vitin 2010.

3. Lazio-Inter 4-2 (Seria A, 2001-02). Tifozët e Interit nuk mund të harrojnë kurrë 5 majin e vitit 2002, kur humbën titullin pikërisht në javën e fundit. Dy herë në avantazh, Lazio arriti të rikuperonte dy herë në pjesën e parë, për të zhytur në dëshpërim zikaltërit në 45 minutat e dyta me golat e Simeones e Inzaghit. Falë fitores së lacialëve, Juventusi u shpall kampion.

4. Inter-Milan 0-6 (Seria A, 2000-01). Derbi që është i destinuar të mbetet në histori dhe që shumë milanistë e përmendin edhe sot me krenari. Golat nga të “panjohurit” Comandini e Giunti, bashkuar me ato të Shevchenko-s dhe Serginho-s, i shkaktuan interistëve dështimin më të madh në historinë e derbit të Milanos.

5. Parma-Inter 6-1 (Kupa e Italisë, 2000-01). Përveç humbjes në derbi, skuadra e Tardelli-t njohu edhe një tjetër rezultat tenistik, atë 6-1 në stadiumin “Tardeli” të Parmës. Pas gjashtë golave të pësuar, Recoba realizoi një gol flamur me shumë pak vlera.

6. Inter-Lugano 0-1 (Kupa UEFA, 1995-96). Dështimi i parë i madh europian i epokës Moratti. Luis Suarez kishte detyrën të rikuperonte humbjen 1-0 në Zvicër, por ndaj modestëve të Luganos, zikaltërit “nxjerrin” një ndeshje jashtëzakonisht të dobët dhe “arkëtojnë” një humbje të re.

7. Inter-Arsenal 1-5 (Champions League, 2003-04). Zaccheroni sapo ishte ulut në stolin e lënë bosh nga Hector Cuper dhe Thierry Henry me shokë i dhanë një mirëseardhje aspak të këndshme. Ndonëse një ndeshje grupi, zikaltërit nuk e morrën më veten nga ky shok dhe u eliminuan që në raundin e parë.

8. Inter-Bayern Munchen 1-3 (Kupa UEFA, 1988-89). Zikaltërit ndiheshin shumë entuziastë pas fitores 2-0 në Mynih, por Wohlfarth, Augenthaler e Wegman e bënë Interin që të largohej me turp nga kompeticioni, ndërsa 7 dhjetori 1988 mbeti i paharruar në kujtesën e interistëve.

9. Inter-Helsingborg 0-0 (Champions League, 2000-01). Interit i duhej të përmbyste humbjen 1-0 të pësuar në Suedi, për të siguruar një vend në grupet e Champions, por modestët e Helsingborg rrezikojnë të fitojnë në “San Siro”, përpara se Recoba të shpërdoronte një penallti në minutën e fundit të lojës.

10. Inter-Schalke 2-5 (Champions League, 2010-11). Dështimi i fundit i bujshëm ndërmjet humbjeve më tronditëse në histori ka një shije edhe më të hidhur duke patur parasysh se erdhi pas humbjes 3-0 në derbi. Për Interin, mbrojtja e titullit kampion kalon tashmë nga një fitore vetëm “teorikisht të mundur” me katër gola diferencë në Gelserkirshten.

Top Channel