Dinamo-Tirana, finalja e Kupës

06/04/2011 23:30

Derbi Dinamo-Tirana do të jetë finalja e Kupës së Shqipërisë. Dinamo, që arrin pas shtatë vjetësh finalen e Kupës së Shqipërisë, eliminoi në gjysmëfinale Vllazninë, teksa goli i shënuar në fushën kundërshtare rezultoi vendimtar, pasi rezultati i përgjithshëm i dy sfidave u fiksua në shifrat 2-2.

Ndërsa Tirana, eliminoi Besën me rezultatin e përgjithshëm 2-1, pasi fitoi 1-0 në ndeshjen e parë dhe barazoi 1-1 në atë të kthimit në Kavajë.

Bardheblutë nga kryeqyteti siguruan finalen për të 21-n herë në histori, pas fitores minimale 1-0 në duelin e para tri javëve në “Qemal Stafa”.

Sulmuesi brazilian i Besës, Markos Dos Santos, shënoi një gol të bukur në minutën e 23-të, që përfitoi nga një mosmarrëveshje midis Sinës dhe portierit Lika.

Ndërkohë goli që u dha kualifikimin 13 herë fituesve të Kupës mban firmën e sulmuesit shkodran Bekim Bala dhe erdhi në minutën e 71-të. Në rrugëtimin drejt finales, Tirana eliminoi Skraparin, Adën e Velipojës dhe Bylisin.

Ndërsa në ndeshjen tjetër gjysmëfinale Dinamo u kualifikua për në finalen e Kupës së Shqipërisë, pasi mundi 1-0 në ndeshjen e dytë Vllazninë në “Qemal Stafa”. Golin e vetëm të takimit e shënoi sulmuesi serb Mlladen Brkiç në minutën e 20-të, duke shfrytëzuar në maksimum pasimin e sulmuesit argjentinas, Nestor Martinena. Ky i fundit shënoi edhe golin e Dinamos në takimin e parë gjysmëfinal në Shkodër.

Me rezultatin e përgjithshëm 2-2, por me gol në fushën kundërshtare, Dinamo u kualifikua për herë të 19-të në finale, nga ku ka dale fituese 13 herë. Për herë të fundit, Dinamo e ka fituar Kupën e Shqipërisë në edicionin 2002-2003, pikërisht në një finale kundër Teutës së Durrësit.

Top Channel