Alonso: Ferrari mund të konkurrojë që tani

06/04/2011 19:35

Piloti i Ferrarit, Fernando Alonso, bëri të ditur se skuadra e tij do të prezantojë disa modifikime në garën e ardhshme të Malajzisë, ndërsa hodhi poshtë spekulimet për gjendjen e vështirë të “kokëkuqes”.

”Do të kemi disa modifikime në makinë, por asgjë veçanërisht të rëndësishme, e cila do të na lejonte të arrinim ndryshime radikale në rendimentin tonë”, shpjegonte Alonso në faqen personale të internetit.

”Kjo nuk do të thotë se nuk do të jemi në gjendje të luftojmë për të fituar garën, pasi ndryshe nga sa është thënë, nuk mendoj se Çmimin e Madh të Australisë treguam se jemi shumë pas të tjerëve”.

Në Melburn, dy herë kampioni i botës u rendit pas gjermanit Vettel, britanikut Hamilton dhe rusit Petrov. “E dimë që duhet të përmirësohemi ende, por për momentin, gjëja kryesore është të mësojmë të nxjerrim rendimentin më të mirë prej mjetit që kemi në dispozicion.

Më kujtohet sezoni kur fitova titullin e parë më Renault, kur nisëm me dy makina që ishin më të ngadalta se ato të 2-3 rivalëve të tjerë, por në fund ishin dy mjetet tona ato që fitonin rregullisht vendet e para”, përfundoi Alonso.

Top Channel