Forumi civil, që bashkëdrejtohet nga ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani, shprehu sot shqetësimin e thellë për atmosferën politike në prag të zgjedhjeve të 8 majit.
Forumi parashtroi disa sugjerime: partitë duhet të bëjnë transparent burimin e të ardhurave dhe të shpenzimeve gjatë fushatës; të mos ndërhyjnë në veprimtarinë e komisioneve zgjedhore dhe të evitojnë në maksimum ndryshimet në përbërjen e tyre, sidomos ditën e fundit përpara zgjedhjeve.
Po ashtu forumi, thuhet në deklaratën për shtyp, vlerëson rolin dhe funksionimin e veçantë të KQZ-së në përgatitjen, mbikëqyrjen dhe ecurinë e të gjitha aspekteve të proçesit zgjedhor.
Forumi kërkon mënjanimin e gjuhës së urrejtjes dhe mospolitizimin e bordit të medias.
Një propozim interesant i Forumit është ai që anëtarët e bordit të monitorimit të medias të mos propozohen nga anëtarët e KQZ-së, siç parashikohet aktualisht në ligj, por nga institucione të pavarura të medias.
Në fund forumi i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të njihen me listat përfundimtare të zgjedhjeve që duhet të shpallen jo më vonë se data 13 prill.
Top Channel