Tatimet me dorë të hekurt

05/04/2011 16:40

Pas vendosjes së kasave fiskale bizneset po përballen tashmë me një tjetër kosto shtesë, që ka të bëjë me mirëmbajtjen e tyre.

Ligji i detyron të gjitha bizneset që kanë vendosur pajisje fiskale, që një herë në katër muaj, të bëjnë me detyrim kontrollin e tyre.

Ky proçes bëhet nga shoqëritë që Ministria e Financave autorizoi që në fillim për shitjen e kasave në tregun e brendshëm dhe fatura e tij vjetore është 98 dollarë ose rreth 10 mijë lekë në vit.

Pagesa bëhet dy herë në vit, më saktësisht një herë në 6 muaj në shumën 4800 lekë.

Nëse për bizneset e mëdha kostot mund të jenë relativisht të ulëta, për bizneset e tjera të vogla, ky detyrim shtesë çon në rritje dyshifrore të barrës fiskale.

Përgjithësisht e gjithë barra fiskale e bizneseve që i paguajnë taksat tek njësitë vendore, bashki ose komuna luhatet nga 90 deri në 300 mijë lekë për gjithë vitin.

Ndaj për fashën e ulët të këtyre bizneseve vetëm mirëmbajta e detyruar e kasave e rrit barrën fiskale me 10 për qind, pavarësisht se ky detyrim nuk vjen në formën e taksës direkte, por si kosto administrative shtesë.

Fillimisht me këtë kosto po përballen bizneset, të cilat ju përgjigjën të parët detyrimit ligjor për t’u pajisur me kasa fiskale, pasi u është mbushur afati katër mujor.

Por kjo është faturë e detyrueshme për të gjitha bizneset, të cilat njëherë në katër muaj janë të detyruara të bëjnë kontrollin dhe të paguajnë.

Top Channel