Sequi viziton Top Channel

05/04/2011 16:05

Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Etore Sequi ka vizituar sot paradite selinë qendrore të Top Channel, tek piramida.

Një mik i vjetër dhe i respektuar i “Top Media Grup”, që në kohën kur shërbente si diplomat kryesor në Ambasadën e Republikës Italiane, zoti Sequi është njohur me zhvillimin që ka pësuar “Top Media” ndër vite, duke vizituar disa prej ambjenteve dhe studiove të televizionit, pikërisht ato që ndodhen në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës.

Zoti Sekui është ndalur në ambjentet dhe studiot e lajmeve, në studiot e “Fiks Fare”, emisionit “Shqip”, “Pasdite në Top Channel” dhe studiot e “Select” e emisioneve të tjera.

Vizita e zotit Sequi ka vijuar me një takim me presidenten e “Top Media Grup”, zonjën Vjollca Hoxha dhe drejtues të tjerë të televizionit e departamenteve kryesore.

Në takim është folur mbi rëndësinë e një mediaje të lirë dhe cilësore, ku u nënvizua rëndësia e lirisë së shprehjes së mendimit dhe cilësia e përcjelljes se informacionit për publikun, një standard që Top Channel kërkon të garantojë gjithmonë për të gjithë publikun shqiptar.

Po ashtu është folur lidhur me problematikën që shqetëson sot televizionin dhe nevojën e garantimit të veprimtarisë normale të tij.

Drejtuesit e televizionit falenderuan ambasadorin e Bashkimit Europian për të gjithë ndihmesën që ka dhënë BE-ja, por edhe ai vetë personalisht për mbrojtjen, zhvillimin dhe funksionimin e mediave të lira dhe të pavarura e për Top Channel në veçanti, si një gur themelor në një shoqëri të lirë e demokratike.

Zoti Sequi është ndalur për disa minuta edhe në studiot e “Top Albania Radios”, në mënyrë të veçantë në ato të “Top Gold Radio”, një radio që siç tha edhe vetë, e ka patur dhe e ka gjithmonë për zemër.

Ai ka vizituar studiot dhe ka parë nga afër punën që realizohet në radio.

Top Channel