SHBA, kush do të jetë rivali i Obamës?

04/04/2011 20:55

Presidenti amerikan, Barack Obama, deklaroi sot se do të rikandidojë për president në vitin 2012, por lajmi pritej prej kohësh dhe nuk befasoi asnjë.

Pyetja që të gjithë shtrojnë është se cili do të jetë personi që do të vendoset përballë presidentit në zgjedhjet e vitit të ardhshëm?

Disa republikanë kanë shfaqur interes për të konkurruar, por kandidati më i mundshëm për momentin duke se është vetëm një, Tim Pawlenty.

Ish-guvernatori i njohur i Minesotës ka plotësuar formularin në Komisionin Federal të Zgjedhjeve. Video që Obama lajmëronte rikandimin, ai iu përgjigj me një tjetër video, e gjatë 36 sekonda.

Në të paraqiten radhët e gjata të amerikanëve në kërkim të një vendi pune, çmimet e rritura të shumë produkteve, mbyllja e shumë bizneseve, madje edhe një pamje kërcënuese vetëtime pas Shtëpisë së Bardhë.

”Si mund të fitojë Amerika të ardhmen kur është duke humbur të tashmen”, thotë Pawlenty, i cili argumenton se vendi ka nevojë për një president të ri.

Zërat për kandidimin e Pawlenty-t qarkullojnë që kur ai vendosi që të mos rikandidonte për postin e guvernatorit në vitin 2010.

Për herë të parë, ai u përmend që në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008, ku kandidati republikan, John McCain, kishte vendosur t’i jepte një rol kyç në administratën e tij nëse do të fitonte.

Në zgjedhjet e mesmandatit, Pawlenty luajti një rol të rëndësishëm në krijimin e fondeve për kandidatët republikanë, ndërsa përfitoi nga rasti për të rritur edhe statusin e rij brenda partisë.

Megjithatë, ai përballet me dy probleme kryesore që rrezikojnë të dëmtojnë fushatën e tij si president. Për momentin, Pawlenty-t i mungon ai shkëlqimi që duhet për t’u bërë popullor në një fushatë, ndërsa nuk është ende një “magnet” për mediat.

Rivalja kryesore e tij brenda partisë mund të jetë kandidatja e McCain për zëvendëspresidente, Sarah Palin, e cila është shumë popullore mes amerikanëve dhe ka pranuar edhe më parë ambicjet e saj për një vend në Shtëpinë e Bardhë.

Nga ana tjetër, Partia Republikane ka të qartë që demokratët fituan shumë pikë me kartën e presidentit të parë afro-amerikan, prandaj mund të përgjigjen me një tjetër sensacion, kandidaten e parë grua për të drejtuar SHBA-në.

Top Channel