Fundi i 36 javëve i hap rrugën fazës “Final 4” në Superiore, si renditen ekipet pas përgjysmimit të pikëve dhe të gjitha detajet
Piloti brazilian, Gustavo Sondermann, ndërroi sot jetë pas një aksidenti vdekjeprurës gjatë provave në pistën e Interlagosit, në kategorinë shumë popullore të automobilizmit në Brazil, Kupa Montana.
”Përballë dëmtimeve me të cilat Sondermann u paraqit në spital, mjekët vendosën se një ndërhyrje kirurgjikale është e padobishme, pasi dëmi në trurin e tij është i pakthyeshëm”, deklaroi një zëdhënës i spitalit ku ai u dërgua me urgjencë në Sao Paulo.
Ndonëse piloti ende merr frymë, vdekja e trurit do të thotë se ai nuk do të jetë më kurrë në gjendje të rikuperohet dhe familja ka lajmëruar se nuk ka ndërmend të zgjasë vuajtjet e tij.
Zemra e Sondermann-it do të pushojë së rrahuri pasi miq, të afërm e kolegë t’a përshëndesin për herë të fundit, përpara se të shkëputet prej aparaturave që e mbajnë në jetë.
Aksidenti ndodhi me shpejtësi të lartë, pasi Sondermann-i humbi kontrollin e makinës, mbase për një defekt teknik apo si pasojë e shiut të dendur. Ai qëndroi disa minuta pa oksigjen dhe kjo shkaktoi ndalimin e të gjitha funksioneve të trurit.
Vendi ku ai u përplas quhet “kthesa e kafesë” dhe u bë e njohur në vitin 2007 për një aksident të frikshëm të Alonsos në Formula 1. Webber e Rosberg kanë pësuar gjithashtu aksidente në këtë kthesë të rrezikshme në garën e Çmimit të Madh të Brazilit.
Top Channel